By Sevdail Hyseni

Në rajonin e Luginës së Preshevës, kemi disa portale informative dhe disa të tjera të tipit të rrjetit social facebook-ut, të cilat vazhdimisht fabrikojnë rrena, duke ndotur mizorisht ambientin publik me spekulime dhe afera skandaloze.

Fatmirësisht, që këto mediume gjysmake, gjithnjë po rrudhen e tkurren, ashtu siç po zvogëlohen dhe zvetënohen sponsorët partiakë të tyre. Nuk ka më keq për administratorët dhe mentorët e këtyre faqeve, që për stil të jetës kanë begenisur rrenën, formën më të pistë për ta mbajtur gjallë jetën e tyre politike dhe informative.

Këta mistrecë të zhytur në pellgun e injorancës dalin me tituj spektakularë në faqet e zverdhura të paraqitjeve të tyre publike.

Lexoni këto tituj dhe ec e mos e shihni rrenën si në ditë të pazarit: “Mbyllet” fakulteti në Bujanoc; “Rikthehen” serbët në Tërnoc, Pesëdhjetë punëtorë mbeten në rrugë, “Mbyllet” shtëpia e shëndetit në Tërnoc, Qytetarët rrezikohen nga ujërat e zeza etj. etj.

Po kujt i shërbejnë këto rrena dhe këto faqe interneti?

Askujt. Përveç atyre që i ushqejnë me krunde, për një ideal iluzor, shkëlqimi i të cilëve po bie dita ditës, ashtu siç ka rënë edhe forca politike për të ecur më fuqishëm, drejt….

Populli i Luginës së Preshevës, e veçmas ai i Komunës së Bujanocit, i njeh këta matrapazë të jetës politike dhe informative, të cilët erdhën dikur në pushtet me zurna e tupana, për t’u larguar nga qeverisja me ndihmën e votës, përgjithmonë.

Këta rrenacakë, gënjeshtarë e mashtrimtarë, të fshehur pas faqeve fantome të internetit dhe ndonjë posti, mundohen të krijojnë publicitet e pushtet paralel me atë aktual, duke ia futur kot, se do të ketë lëkundje në skenën institucionale.

Për t’i mbajtur afër vetes edhe ndonjë ditë militantët partiakë, ata i ushqejnë me rrena se pushteti aktual nuk e ka të gjatë, se do të prishen koalicionet ekzistuese, se do të bëhet ashtu e kështu…

Me kalimin e kohës rrenat për qielli, kanë filluar të zbresin për toke, duke tërhequr pas veten një bisht të gjatë, të cilin ia ka zënë me derë e vërteta e shpalosur me distancim e përgënjeshtrim, njëkohësisht.

Ngase me këso kopalla e ëndrralla, tashmë është ngopur populli dhe e ka vështirë t’u besoj atyre e lëre më t’u bindet, meqë sipas Kolmenit “I ligu i ngjan thesit të qymyrit: jashtë i zi, e brenda më i zi!

SHPËRNDAJE