Ruzhdi Qehaja, drejtor i Mbrojtje-Shpëtimit në Komunën e Kamenicës deklaroi se aktualisht zjarret kanë përfshirë fshatrat shqiptare të Luginës së Preshevës Muhoc, Zarbincë, Sedllar, Priboc, Qarrë etj.

Në vijën kufitare Kosovë-Serbi mbi pesë fshatra shqiptare aktualisht janë të përfshira nga zjarret. Mësohet se qindra hektarë pyje janë duke u djegur, ndërkohë që askush nga zyrtarët serbë, policia apo xhandarmëria nuk ka intervenuar.

Qehaja tha për Rajonipress se ka madje 15 ditë që disa pjesë andej kufirit janë duke u djegur. “Ne kemi intervenuar vetëm në Priboc, por për shkak të prezencës së madhe të xhandarmërisë aty jemi tërhequr”, ka thënë ai.

Qehaja tha se shumica e zjarreve janë të qëllimshme, sikurse është e qëllimshme heshtja e zjarrfikësve serbë, të cilët asnjëherë nuk e kanë vizituar këtë pjesë të banuar me shqiptarë.

“Zjarri disa herë ka depërtuar edhe në pjesën e Kosovës, por ne kemi intervenuar me kohë dhe e kemi lokalizuar atë”, shtoi Qehaja.

Selver Lenjani, përfaqësues i fshatit Karaqevë, tha se kjo që po ndodhë me malet e fshatrave shqiptare në pjesën serbe vërtet është krim.

“Ashtu siç po digjen aktualisht pyjet, shumë shpejt flakët do të depërtojnë edhe në shtëpitë shqiptare. Qëllimi i organeve serbe është që të digjen shtëpitë e shqiptarëve bashkë me pyjet”, vlerësoi Lenjani.

Lenjani tha se ka kërkuar takim urgjent me përfaqësuesit e KFOR-it amerikan për të intervenuar në këto zona tashmë të boshatisura nga banorët. “Priboci është fshat për gjynah, sepse aty janë djegur edhe ato pak shtëpi të mbetura”, tha ai./Indeksonline/

SHPËRNDAJE