DIALOGU ME -D- TË MADHE

Shkruan: ALBIN KURTI

Kosova po funksionalizohet dhe objektifikohet në kuadër të nxitimit që BE-ja dhe Serbia e kanë për njëra-tjetrën. Kosova ka pranuar që të bisedojë me Serbinë për veten e saj, për hir të Serbisë që synon të integrohet në BE, dhe me ndërmjetësimin e vetë BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, BE-ja si ndërmjetësuese dhe si destinacion i Serbisë ndodhet në konflikt interesi. Ky ishte një shërbim i shkëlqyer që qeveria e Kosovës ia bëri Serbisë dhe BE-së, kurse çmimin tash po e paguan e gjithë Kosova.

Fjalia e fundit në marrëveshjen e 2 shtatorit për vulat doganore dhe regjistrat kadastralë thotë që “Grupi trepalësh implementues do ta monitorojë zbatimin dhe funksionimin e shpejtë të aranzhmaneve të lartcekura dhe do ta njoftojë rregullisht dialogun lidhur me progresin”. Pra, Dialogu (me D të madhe) po instalohet si instancë supreme dhe si institucion dominues karshi së cilit maten politikat dhe politikanët.

Dialogu gjithçka po e bën çështje të dorës së dytë. Ajo që nuk i shërben dialogut nuk lejohet të ketë prioritet. Ajo që e kundërshton dialogun fiton prioritet për ta shtypur. Thua se dialogu është i vetmi vend ku ne arrijmë të qeniesohemi, ndërkohë që pikërisht aty kontestohet qenia jonë. Kush është për dialog është në dialog. Kush nuk është për dialog nuk duhet të jetë. Nuk mund të ketë edhe dialog për Kosovën edhe demokraci në Kosovë.

Në sferën publike dhe institucionale më së shumti hapësirë për dialogim fitojnë politikanët që e pranojnë dialogun. Argumentet e tyre për dhe kundër koncesioneve janë argumente për koncesionet. Sepse, ato janë argumente për më shumë a më pak koncesione, për koncesione tash apo një çikë më vonë, për koncesione të atilla dhe jo të këtilla, dhe jo kundër koncesioneve si të tilla. Bisedimet gjithsesi i nënkuptojnë koncesionet.

Shteti i Kosovës është në pyetje mirëpo Kosova nuk po pyetet. Kosova nuk i ka nisur këto bisedime dhe ajo nuk e di se kur do të përfundojnë ato. Në fakt, Kosova nuk e di as se si do të përfundojnë këto bisedime. Për më keq se kaq, Kosova nuk e di edhe nëse do të përfundojnë ndonjëherë ato. Mbase me këtë qeveri që kemi nuk mund të kemi mbarim të bisedimeve. Mund të ketë ndërprerje të përkohshme, por jo edhe fund të njëmendtë të bisedimeve.

Qeveria e Kosovës po e shpie Kosovën prej një koncesioni në tjetrin. Secili koncesion, Serbisë i jep shpresa për koncesione të reja, nga të cilat ajo do të përfitojë edhe ‘pak’ më shumë, pa u ngopur asnjëherë plotësisht. Këto koncesione sjellin kompromise të caktuara që aktualisht po quhet konkluzione të dakorduara mes palëve.

Pasi që arrihet një kompromis si përmbledhje e një serie koncesionesh rreth të cilave argumentohet, vetë kompromisi shndërrohet mandej në argument për koncesione shtesë drejt kompromiseve të reja. Ajo mbi të cilën argumentohej bëhet argument për arsyetime të tjera. P.sh. dikur argumentohej për dhe kundër eksterritorialitetit të kishave e manastireve ortodokse. U bënë koncesionet, u arrit kompromisi në formën e Planit të Ahtisarit dhe tash ky kompromis është bërë argument për koncesione të reja drejt kompromiseve të tjera. Sot, argumenti kryesor i projektligjeve qeveritare për Hoçën e Madhe dhe Qendrën Historike të Prizrenit është vetë Plani i Ahtisarit (për e kundër të cilit argumentohej dikur).

Më shumë se tre vjet pas shpalljes së pavarësisë janë tri palë që diskutojnë për Kosovën. Kosova është vetëm njëra prej këtyre tri palëve dhe njëkohësisht pala më e dobët. Kjo gjë pa dyshim se e ka trimëruar shumë Serbinë. Ndërsimi i strukturave ilegale dhe armiqësore të Serbisë në veri është pasojë e pashmangshme e kësaj.

Përmes këtyre strukturave të saj në Kosovë Serbia ngre probleme që përfshihen si tema të reja në dialog dhe aty pastaj futen në vorbullën e negociatave ku u nënshtrohen një sërë koncesionesh zinxhirore nga pala kosovare. Ndërkohë, qeveritarët me në krye Thaçin e shpërlajnë gojën me deklarata për pavarësinë e paprekshme teksa janë duke menduar veçse për pushtetin e tyre dhe jo për pavarësinë që tashmë e kanë vënë në pazar.

Qeveria e Kosovës nuk po bën kurrfarë shtetndërtimi. Ajo vetëm sa po ia vështirëson shtetndërtimin një qeverie të ardhshme. Me qasjet dhe mënyrat e gabuara, me mungesën e seriozitetit dhe sinqeritetit, kjo qeveri është e mallkuar veçse të menaxhojë moszgjidhjen e problemeve që vetë i prodhon. Pushteti i këtillë patjetër që është rrezik për shtetin. Por, është rrezik edhe për popullin. Sepse, një popull pa shtet ose një popull me shtet të dobët, gjithmonë rrezikon të bëhet popull me valixhe në duar.

Dialogu në Bruksel është një ndërtesë koncesionesh që vazhdimisht ndërtohet lart e më lart, gjersa humbet nga shikimi maja e ngrehinës së saj në retë e bardha sipër, për ta marrë vesh në fund që nuk ishte dialogu ai që po ngrihej, por Kosova ajo që po binte. Prej fundit të humnerës gjithçka duket sikur ndodhet diku atje lart, apo jo?


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni