Sezoni turistik në Durrës shënoi një dështim të paralajmëruar. Megjithë zgjatjen e sezonit, sërish numri pushuesve në plazhet e Durrësit, ra me 30 për qind, ndërkohe që në shkallë vendi numri pësoi rritje.

Standardet e shërbimit në rënie, papastërtia e theksuar e ujit të detit, mungesa e plazheve publike, viti elektoral, mungesa e infrastrukturës ishin disa nga shkaqet që sollën humbjen e miliona eurove dhe shtimin e papunësisë nga rënia e turizmit.

Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit për degën e Durrësit, Eduart Xhepa ndalet në faktorët që sipas tij e dëmtuan sezonin turistik këtë vit, përfshirë dhe standardet e shërbimit.

“Disa investime në rrugë janë bërë por nuk mjafton. Duhet patjetër të bëhet një fushatë marketingu në disa drejtime dhe kjo kërkon investim, organizim dhe përkushtim për të arritur një rezultat”, tha Xhepa.

Po për kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, sezoni i pasuksesshëm i këtij viti duhet parë nën një këndvështrim pozitiv që synon ta afrojë Durrësin në një të ardhme të afërt në një destinacion turistik elitar.

“Kjo tkurrje e turistëve që kanë vizituar Durrësin, sidomos ata nga Kosova ka ardhur sepse tani ata preferojnë jugun. Afërsia e rrugës i bën që shtetasit kosovarë të vijnë në Durrës vetëm në fundjavë. Mendoj se rënia e fluskit do të ulë ngarkesën dhe do të kthejë Durrësin në një plazh më të qetë dhe rritja e çmimeve do ta kthejë Durrësin në një plazh me elitar”, tha Dako.

Megjithë investimet e bëra, realiteti që ofron Durrësi si në infrastrukturë ashtu dhe në cilësinë e shërbimit e bën të largët këtë perspektive, njofton TCH.

“Nuk ka vit që ne të mos bëjmë investime, por këtë vit nuk arritëm t’i realizonim dhe patem nje sezon jo të suksesshëm. Vitin e ardhshëm do të nisin investimet e reja për sezonin e ri turistik”, tha Dako.

Situata duket se nuk po gjen zgjidhje as per sezonin që do të vijë. Në plazhet e Durrësit, vijon shkarkimi pa kontroll i ujërave të zeza. Vetë pronarët e hoteleve kanë shkaktuar këtë situatë absurde që po kthen investimet e bëra në tërësisht të pavlera. Aksush nuk do dëshironte që vitin tjetër të bënte plazh në një zonë të mbushur nga mbeturinat ujërat e zeza dhe era e rëndë.

SHPËRNDAJE