Autoritetet gjermane kanë konfirmuar se Agim Zogaj ka bërë vetvrasje. Kjo është bërë e ditur pas autopsisë që i është bërë viktimës. Mirëpo, zyrtarët e POlicisë së DIsburgut nuk kanë dhënë informata nëse Agim Zogaj ka qenë i siguruar nga policia atje, pasi ka ai ka qenë dëshmitar i mbrojtur, i njohur si dëshmitari “X” në rastin “Kleçka”, ndërsa aktakuza e EULEX-it ndaj 10 personave, përfshirë edhe deputetin Fatmir Limaj është ngritur kryesisht mbi dëshminë e tij. Babai i Agim Zogajt ka rrëfyer për RTV21 se nuk ka pasur asnjë informacion për vendodhjen e të birit të tij dhe për ç’arsye po mbahet atje.

Autoritetet policore në rajonin e Disburgut të Gjermanisë, ku u gjet i vdekur Agim Zogaj i njohur si dëshmitari “X” konfirmuan për RTV 21 se pas autopsisë u vërtetua se viktima ka bërë vetvrasje.
“Policia e Disburgut të martën mbrëma ka gjetur një njeri të vdekur dhe sipas hetimeve të para që ka bërë policia në vendngjarje, ka konstutuar se bëhet fjalë për vetëvrasje. Këtë edhe sot herët në mëngjes e ka vërtetuar autopsia se viktima në fjalë ka bërë vetvrasje”, Ramon Van De Maat, zëdhënës i Policisë së Disburgut në Gjermani.
Mirëpo, autoritetet policore të Gjermanisë nuk dhanë informacione nëse Agim Zogaj ka qenë nën masa të sigurisë, pasi ka qenë dëshmitar i mbrojtur.
” Sa i përket temës së EULEX-it Policia e Disburgut nuk mund të japë informata”, tha Ramon Van De Maat, zëdhënës i Policisë së Disburgut në Gjermani.
EULEX-i gjatë ditës nuk dha detaje për masat e sigurisë për dëshmitarin X.
“Rrethanat e vdekjes së tij janë duke u hetuar nga autoritetet gjermane. Siç jeni në dijeni gjithashtu, individi ishte dëshmitar në një rast në Kosovë. Duke pasur parasysh këto dy fakte, në këtë fazë nuk mund të bëjmë komente të mëtejshme “, thuhet në komunikatën e lëshuar nga EULEX-i.
Familja Zogaj po pret për ngushëllime familjarë dhe miq të saj, pas vdekjes së Agim Zogajt, trupi i të cilit u gjet në një park në qytetin Duisburg të Gjermanisë.
Babai i Agimit, Idriz Zogaj rrëfen për RTV 21 se nuk ka pasur kurrfarë informatash se ku gjendet djali i tij. Ai thotë se beson në autoritetet gjermane.
“Unë nuk e kam ditë as ku është as ku ka qenë, as çka i ka ndodh. Unë nuk flas pa e dit ose pa e pa as pa e pasë informatën e saktë. Informata e saktë na vjen prej atje ku ka ndodh edhe ku kanë marrë shënime inspektorët a kush kanë qenë ata. Ata e dijnë vendin se unë në Kosovë e ai atje ku ka qenë nuk e di. Unë i besoi organeve të Gjermanisë në dokument. Unë nuk i di arsyet, e ata e kanë marrë, ata e dijnë. EULEX-i e ka marrë e kanë qu për Prishtinë, ku e kanë ku e kanë qu unë nuk kasp pasë lidhje”, tha Idriz Zogaj, babai i Agim Zogajt.
Njohës të së Drejtës Penale pohojnë se vdekja e dëshmitarit “X” nuk do ta pengojë procesin gjyqësor kundër Fatmir Limajt dhe nëntë bashkëluftëtarëve të tij, të akuzuar për krime lufte në Kleçkë.
Sipas këtyre njohësve, dëshmia e Agim Zogajt konsiderohet valide. Dëshmitari “X” është kryesori në “rastin Kleçka”, ndërsa aktakuza e EULEX-it është ndërtuar mbi dëshminë e tij. Atë e kishte EULEX-i në mbrojtje prej kur u ishte dorëzuar autoriteteve dy vjet më parë, kur kishte filluar të dëshmonte për krime që pretendonte t’i ketë kryer Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij.
Agim Zogaj ka lënë dëshmi të shkruara dhe të filmuara, të cilat pritet të përdoren në rastin Kleçka që pritet të nisë nga fundi i tetorit.

Kështu foli Agim Zogaj – dëshmitari X (Video)

Këto në vazhdim janë sekuenca fjalësh që ka transmetuar mbrëmë Klan Kosova të dëshmisë së Agim Zogajt (Dëshmitari X), dhënë për EULEX-in.
Raportohet se dëshmia zgjatë rreth 7 orë, dhe është pikërisht kjo që ka bërë që misioni evropian i sundimit të ligjit të ngrisë aktakuzë ndaj deputetit të PDK-së, Fatmir Limaj dhe 9 ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Klan Kosova ka lëshuar vetëm pjesë të shkëputura të dëshmisë për shkak të konfidencialitetit të saj.
Zogaj në të 50-at, u gjet i vdekur në një park në Duisburg. Policia gjermane tha se dyshon që e ka varur veten.

SHPËRNDAJE