Mungesa në rritje e punonjësve të kualifikuar mund ta dëmtojë Gjermaninë më shumë se kriza ekonomike dhe financiare. Popullsia gjermane nuk mund ta plotësojë këtë nevojë.
Ministrja gjermane e Punës Ursula von der Leyen është e alarmuar. Prej muajsh në Gjermani rreth 1 milion vende pune janë të pazëna dhe koha e plotësimit të një vendi të lirë pune është gjithnjë e më e gjatë. Shprehur me shifra aktualisht duhen 72 ditë, ose 13 ditë më shumë se një vit më parë. Më shumë kërkohen punonjës të kualifikuar veçanërisht inxhinierë, ekspertë shumë të kualifikuar të informatikës, mjekë dhe kujdestarë për të moshuarit.
Që prej një viti qeveria gjermane përpiqet të ndalojë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, që po përhapet në gjithë Gjermaninë. Ministrja von der Leyen e sheh megjithatë veten në rrugë të mirë. “Ne kemi hedhur disa hapa vitin e kaluar me ligjin për njohjen e kualifikimeve profesionale të huaja dhe me ligjin për Blue Card. Nga të dhënat shohim se është rritur edhe punësimi i grave dhe i të moshuarve.”

Deri në 800.000 punonjës të kualifikuar duhet të rekrutohen nga vendet jashtë BE-së

Por edhe nëse të moshuarit punojnë më gjatë dhe hyjnë në një marrëdhënie pune me kohë të plotë më shumë gra deri tani në punë me kohë të pjesshme apo pa punë, mund të plotësohet vetëm gjysma e tre milionëve vendeve të punës bosh që parashikohen në vitin 2025. Gjermanisë i nevojiten më shumë imigrantë se deri tani, Agjencia Federale e Punës ka llogaritur një nevojë prej 200.000 punonjësish të kualifikuar që duhet të vijnë çdo vit nga jashtë.
Për të përshpejtuar këtë proces , qeveria gjermane do të fillojë tani përmes një portali interneti një ofensivë të gjerë informuese dhe rekrutimi brenda dhe jashtë vendit. Nën titullin “Make it in Germany”, kandidatë nga BE dhe nga shtete të tjera do të shoqërohen në rrugën e tyre drejt Gjermanisë. Për të reduktuar sa më shumë pengesat e gjuhës, portali është kryesisht në anglisht. Ministri gjerman i Ekonomisë Phlipp Rösler e di se problemet me gjuhën gjermane janë pengesa më e madhe në rrugën drejt Gjermanisë. Por aplikantët duhet të jenë realistë. “Ne kemi nevojë për punonjës të kualifikuar por duhet të jetë e mundur edhe të kërkosh vetë një vend pune në tregun e punës, të integrohesh, dhe për këtë është gjithnjë e nevojshme gjuha. Anglishtja ndihmon por është minimumi i nevojshëm.”

Rregulla krejt transparente loje

Portali është tashmë online dhe duhet të lehtësojë përpjeket edhe për aplikantët të cilët nga 1 gushti do të kërkojnë të ashtuquajturën Kartë Blu (Blue Card). Fillimisht është parashikuar një leje qendrimi me afat tre vjeçar, më vonë aplikantët dhe familja e tyre mund të marrin të drejtën e vendosjes afatgjatë në Gjermani. Në rast njohurish të mira të gjermanishtes, leja për vendosje afatgjatë mund të jepet edhe pas dy vjetësh. Për Kartën Blu është e nevojshme një e ardhur mininale prej 45.000 eurosh në vit. Në të ashtuquajturat profesione ku kërkohet urgjentisht fuqi punëtore mjaftojnë edhe 35.000 euro në vit.
Sipas ministres së Punës, von der Leyen, me Kartën Blu “janë përcaktuar fare qartë rregullat e lojës” që vlejnë për të ardhur në Gjermani. Megjithatë disa çështje duhen sqaruar, ndër të tjera se kush janë vendet më të mira të synuara për rekrutimin e fuqisë punëtore. “Vendet me popullsi të re, me kualifikime të kërkuara tek ne. Njerëz, të cilët kanë vetë plane për të emigruar, pasi mendoj se është një çështje etike pra të dyja palët duhet të kenë përfitim.”
Me ofensivën për thithjen e punonjësve të kualifikuar qeveria gjermane kërkon edhe të arrijë më shumë në vend. Për të siguruar plotësimin e nevojës për punonjës të kualifikuar, në të ardhmen sipërmarrjet, sindikatat dhe shoqatat duhet të punojnë më ngushtë në rrjetet rajonale. Veçanërisht sipërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shumë pak të pregatitura për problemet e mëdha, që pritet të sjellë së shpejti transformimi demografik në Gjermani. DW

SHPËRNDAJE