Deri në 15 vjet burg për shkelësit e ligjit zgjedhor

 

Dënime të rënda deri në 15 vjet burg parashikon Kodi Penal për të gjithë personat që shkelin ligjin për zgjedhje. Kështu paralajmëroi ministri i Drejtësisë në largim Mihajllo Manevski. Kodi penal parashikon 9 vepra penale në këtë fushë. Vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, shkelja e të drejtës së votës, shkelja e lirisë së shprehjes së votuesve, keqpërdorimi i të drejtës së votës, blerja e votës gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkelja e sekretit të votimit, mashtrimi zgjedhor, keqpërdorimi i fondeve për financimin e fushatës zgjedhore.

Sipas Manevskit, në mesin e ndryshimeve më të rëndësishme në Kodin Zgjedhor, janë vendosja e obligimit të partive për të dorëzuar raportet financiare, 11 ditë nga fillimi i fushatës.“Për të gjitha veprat penale kundër zgjedhjeve dhe votimit janë parashikuar dënime mjaft të rënda. Për veprat mund të jepet dënimi me burg më së paku 5 vjet, ose dënim me burg më së paku 3 vjet. Kjo do të thotë se për veprat penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, në përputhje me Kodin Penal mund të jepet dënim me burg deri në 15 vjet. Përveç dënimit, me ndryshimet e Kodit Zgjedhor në 2009 dhe 2011 në muajin prill, është parashikuar edhe dënim i posaçëm që ka të bëjë me ndalimin e partisë politike apo personit juridik të shfrytëzojë fonde nga buxheti nëse vërtetohet se ka kryer ndonjë vepër penale, dhe përderisa ekziston rreziku për përsëritje të të njëjtës vepër penale” tha Mihajllo Manevski, ministër i drejtësisë.

Manevski tha se masat në Kodin Penal janë bërë në përputhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, rekomandimet e fundit nga raporti final i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e zbatuara në vitin 2008 dhe 2009, si dhe mendimi i Komisionit të Venecias. Për shkelje ligji gjatë zgjedhjeve të vitit 2008, për 75 persona gjykatat kanë sjellë vendim të plotfuqishëm, 17 persona janë gjobitur me të holla, ndërsa 7 raste janë në fazën e gjykimit.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni