Në ditën e dymbëdhjetë të regjistrimit të popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave, ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar dhe u.d. i kryeshefit ekzekutiv të Entit të Statistikës të Kosovës mbajtën një konferencë për medie, në të cilën u shpalosën të arriturat e deritashme në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Ministri i MAP-it, Yagcilar, iu tha gazetarëve se procesi i regjistrimit, që ka filluar më 1 prill , po vazhdon me sukses. Ky projekt i rëndësishëm për shtetin po pritet me interesim nga qytetarët e Kosovës, të cilët po tregojnë interesim për t’u regjistruar. Nga ky proces presim që ai të ofrojë të dhëna të sakta, të cilat do t’i ndihmojnë vendit në rrugën drejt integrimit në BE.

Shi për këtë, kërkoj nga qytetarët që t’i përgjigjen këtij procesi, i cili po realizohet në harmoni me standardet evropiane. Dua t’ua përkujtoj, tha Yagcilar, se në këtë fazë regjistrimi i popullsisë është duke u mbajtur në 7O vende evropiane dhe botërore. Qëllimi i regjistrimit është evidencimi i banorëve që jetojnë në një vend, pasuria e tyre, kushtet e jetës në të cilat jetojnë e të ngjashme. Këto janë të dhëna statistikore, të dobishme për vendin. Regjistrimi, pohoi Yagcilar, është duke u mbështetur nga UNOPS-i, nga donatorët dhe nga KE-ja. Si i tillë është i shtrirë në tërë vendin.

Do përmendur fakti se edhe në mjediset ku jeton pakica serbe, regjistrimi po ecën mirë. Qytetarët e komunitetit serb po i përgjigjen këtij regjistrimi, me përjashtim të tri komunave në veri të Kosovës. Për pjesën veriore ende janë duke vazhduar bisedimet, por shpresoj se në afatin shtesë edhe prej asaj zone do t’i kemi të dhënat e regjistrimit, të cilat, bashkë me ato të pjesëve të tjera të vendit, do të përpunohen në Komisionin Qendror të Regjistrimit dhe në zyrën përkatëse, në mënyrë që ESK-u më pastaj do të dalë me informacione të sakta për gjendjen e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave. U. d. i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Ibrahim Shabani, theksoi se regjistrimin e popullsisë është duke e zbatuar ESK-u, me komisionet komunale dhe Komisioni Qendror i Regjistrimit.

Ky regjistrim është duke shkuar mirë edhe në ditën e 12-të të tij. Sipas shënimeve që i kemi, shtoi Shabani, deri më datën 10 prill në Kosovë janë regjistruar 1.5 milionë banorë. Ky proces, i filluar më 1 prill, do të përfundojë më 15 prill 2011.

SHPËRNDAJE