DEPUTETI SHQIPTAR Riza Halimi kundër bllokimit të kufijve

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, i cili është deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, ka thënë të premten se nuk pret që përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje të bllokojnë nesër pikën kufitare Dheu i Bardhë dhe të pamundësojnë kalimin e kamionëve që transportojnë mallra nga Serbia.

Përfaqësuesi politik i Luginës së Preshevës u ka thënë mediave serbe se marrëveshja Prishtinë-Beograd për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, duhet të zbatohet deri në fund pa u krijuar pengesa të reja nga asnjëra palë.

“Çdo bllokadë që pamundëson qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, na largon nga zbatimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë, që është arritur në Bruksel”, ka thënë Halimi.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të shqiptarëve nga Presheva dhe Bujanoci, produktet e tyre në tregun e Kosovës i plasojnë përmes Dheut të Bardhë.

Vetëvendosje ka paralajmëruar se të shtunën do të bllokojë hyrjen e mallrave nga Serbia në pikat kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë. (Express)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni