Deputetët kërkojnë më shumë të drejta për gratë

Kuvendi i Kosovës sot po mban një debat parlamentar për Ditën ndërkombëtare të gruas. Seanca është thirrur në bazë të kërkesës së Grupit parlamentar të grave përkrahur edhe me 44 nënshkrime të deputetëve. Kuvendi i Kosovës në fund të seancës do të dal me disa rekomandime që kanë të bëjnë me të drejtat e gruas në Kosovë.

Seanca e Kuvendit të Kosovës ndryshe nga herë të tjera sot po shqyrton pozitën e gruas në shoqërinë kosovare.

Për këtë arsye edhe Grupi i grave deputete ka mbledhur 44 nënshkrime për t’u mbajtur seancë e veçantë. Në arsyetimin e saj për këtë seancë Teuta Sahatçija udhëheqëse e grave deputete, tha se gruaja sot në Kosovë është e pa zë dhe është viktimë e mentalitetit ende të prapambetur në Kosovë.

Ajo sidomos për burrat veç pikave tjera pati edhe kërkesat e saja. Deputetët gra në seancë theksuan se gratë kosovare kanë të drejta të pakta.

Ato kërkuan që të jenë të barabarta me burrat. Blerta Deliu-Kodra veç rregullimit të të drejtave të gruas me ligje, kërkoi pavarësi në të gjitha drejtimet.

Duke mbrojtur të drejtat e f emrave gratë deputete kanë saktësuar edhe problemet kryesore me të cilat ballafaqohen femrat. Sipas tyre problemi kryesor mbetet dhuna në familje ndaj gruas.

Megjithatë në debat u përfshinë dhe deputetët. Sabri Hamiti porositi gratë kosovare që të mos kërkojnë asgjë nga meshkujt, por të drejtat e tyre t’i fitojnë. Sipas tij të drejtat nuk fitohen duke kërkuar.
Edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, u tha grave deputete se duhet punuar në realizimin e të drejtave të gruas, por sipas tij kjo nuk fitohet as me lutje e as me kërkesa por me kushtetutë e ligje.

Në fund të seancës Kuvendi i Kosovës do të dal me disa rekomandime që kanë të bëjnë me përmirësimin e pozitës së gruas në Kosovë.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni