Prishtinë, 31 maj –  Kuvendi i Kosovës, në një mbledhje të jashtëzakonshme sot ka mbështetur rekomandimet e grupit të deputetëve, për përkrahje materiale e juridike për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe shokët e tij para Tribunalit të Hagës. Debati që u zhvillua u dominua nga bindja se ky Kuvend i beson drejtësisë ndërkombëtare, por është i bindur në pafajësinë e Ramush Haradinajt dhe të shokëve të tij – Idriz Balajat e  Lahi Brahimajt. Ishte kërkesë unanime e të 70 deputetëve, pjesëmarrës të kësaj mbledhjeje, drejtuar Tribunalit në Hagë, për shpejtimin e procesit ndaj tyre.
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se do të ofrojë mbështetje për liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe shokët e tij, që po mbahen në Hagë.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën po diskutohet për ish kryeministrin Ramush Haradinajn, u tha se nuk është në pyetje vetëm fati i një individi por lufta e drejtë e UÇK-së. Në këtë seancë, kryeministri Thaçi premtoi mbështetje për luftëtarët e UÇK-së, aq sa e lejon ligji dhe Kushtetuta e Kosovës, duke shprehur besimin në luftën e drejt të UÇK-së dhe pafajësinë e Haradinajt. Ndërkaq, iniciuesi i këtij debati, Ahmet Isufi, kërkoi që Haradinajt t’i jepet mbështetje institucionale. Sipas tij, Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij po mbahen pa të drejtë në Hagë. Mbështetje për liderin e AAK-së kanë dhënë edhe grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë, Fatmir Limaj, tha se për Haradinajn dhe shokët, nuk mjafton vetëm mbështetja deklarative. Ai tha se institucionet e Kosovës, duhet të jenë më konkret në këtë ndihmë. Limaj, kërkoi që në fund të debatit të nxirret një rekomandim dhe të krijohet një fond i veçantë për të mbrojtur luftëtarët e UÇK-së.(Koha.Net)

SHPËRNDAJE