Peshëngritësi shqiptar pezullim nga Federata Botërore e këtij sporti

Nuk ka pasur mëshirë Federata Botërore e Peshëngritjes dhe ka dënuar me 4 vjet pezullim peshëngritësin shqiptar Erkand Qerimaj. i shkëlqyeri Qerimaj do të duhet të mos garojë për 4 vjet të gjatë dhe të rëndë dhe kjo për shkak se ai u gjet pozitiv për përdorim të substancës së ndaluar dopinguese, metilhekzanaminë. Po kështu, ai humbi titullin kampion të Europës, fituar në Antalia të Turqisë.

Pavarësisht se kampioni kuqezi e kishte deklaruar që përpara garës se çfarë kishte përdorur dhe pavarësisht se metilhekzanamina nuk ishte marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në mënyrë të tërthortë, pavarësisht edhe faktit se ai nuk kishte pasur kurrë më parë probleme me dopingun, sërish dënimi ishte tepër i rëndë.

Vërtet tepër i rëndë. Pritej që dënimi të ishte 6 muaj, ndoshta 1 vit, por goditja ishte e pamëshirshme dhe deri mizore. Katër vjet heqje karriere për një sportist të tillë, kaq shembullor, janë diçka kaq e rëndë saqë nuk mund të shpjegohen me fjalë.

Erkand Qerimaj po vazhdonte stërvitjen, edhe këto ditë pas daljes së rezultatit të provës “B”, ndonëse me ritëm disi më të ulur.
Ai e kishte gjetur forcën për ta përballuar goditjen e parë, por duket tepër e vështirë që të gjesh forcë për të pritur 4 vjet. Për fatin e keq të sportit, një dënim i tillë në Shqipëri, do të thotë dënim me vdekje në mënyrë simbolike, pasi një sportisti të tillë i ndërpritet gjithçka, çdo mbështetje financiare, çdo trajtim ushqimor.

Dhe, së fundi, sportistët tanë, peshëngritësit tanë janë viktima të mungesës së informacionit, diçka që duhet ta bëjë Federata jonë dhe klubet në të cilët ata janë të regjistruar.

Sportisti mund të stërvitet mirë, trajneri mund ta stërvisë mirë, por ata kanë nevojë për mbështetje. Ata nuk e kanë pasur listën me produktet e ndaluara, ndërsa nga Federata jonë janë bërë shpenzime për të dërguar jashtë vendit për stërvitje edhe sportistë që në fund nuk kanë marrë pjesë në garë.

Ndërsa nuk janë gjetur apo nuk janë dashur të gjenden mundësitë për t’u hapur sytë sportistëve dhe për të mos i lënë të bien në gracka.

SHPËRNDAJE