http://www.botasot.info/img/Alajdin_Demiri.jpgPartinë Demokratike Shqiptare (PDSH) e ka përfshirë paniku. Ky është arsyetimi i vetëm i shkarkimeve të nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm të partisë. Kështu i komenton për Alsat-M, analisti Alajdin Demiri, zhvillimet e fundit brenda PDSH-së. Demiri i cili edhe vetë prej një kohe të gjatë ka qenë pjesë e radhëve të PDSH-së, theksoi se Menduh Thaçi ka ndërmarrë këto manovra nga paniku që e ka përfshirë për shkak të zgjedhjeve të ardhshme lokale, që pritet të mbahen në vitin 2012.

“Në vazhdën e rrjedhave politike siç udhëhiqet PDSH-ja këtu nuk ka asnjë risi, se tanimë si duket u bë praktikë në PDSH- që me ose pa arsye të largohen njerëzit të eliminohen apo të largohen që të mbetet vetëm ai që do të thotë që është puna për liderin që i bën këto manovra. Arsyetimi i vetëm mund të jetë paniku në radhët e PDSH-së shkaku se tanimë është e qartë se me këto struktura dhe e këtillë PDSH hyn në fazë të frikës prej zgjedhjeve të ardhshme lokale, si duket kjo është e vetmja gjë, dhe nga ana tjetër pakënaqësia e madhe që dispersohet dhe manifestohet te anëtarësia”, deklaroi analisti Demiri.

Sipas të cilit, hapat e fundit të kreut të PDSH-së, lënë hapësirë për të dyshuar se Thaçi synon ta shndërroj partinë në pronë private.

“Dalëngadalë kjo parti transformohet në një lloj të një udhëheqjeje private me disa njerëz që duhet të aplaudojnë dhe ta përkrahin. Por kjo mënyrë është duke e çuar PDSH-në prej humbjes në humbje dhe më duket se janë manovrat e fundit që të mbijetojë”, tha analisti Demiri.

Në mbledhje e fundit të Kuvendit qendror të PDSH-së u miratuan ndryshimet statutare përmes të cilave u bë shkarkimi i tre nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm të partisë, si dhe u vendos që në të ardhmen, Thaçi të ketë vetëm një nënkryetar; Imer Ailiun i cili është edhe koordinatori aktual i grupit parlamentar.

SHPËRNDAJE