Pak ditë pas sulmit në stacionin policor në kufirin aktual Serbi-Kosovë, Dobrosin, dhe pas arrestimeve të fundit në Bujanovc, veprimtari i shquar, simboli i rezistencës shqiptare Adem Demaçi flet për situatën e tendosur në Luginën e Preshevës, ku popullata po jeton në rrethim, as në paqe as në  luftë.

Duke iu referuar sulmit në Dobrosin, Demaçi akuzon palën serbe se e tërë kjo situatë është rrjedhojë e pakënaqësive dhe e humbjes së durimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në një intervistë për “Presheva Jonë”, Adem Demaçi bën përgjegjës të tensionimit të situatës në Preshevë, Beogradin dhe komunitetin ndërkombëtar, pasi siç thotë ai, serbët në Kosovë janë minoriteti më i avancuar, por edhe më i privilegjuari në botë, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës janë sot popullata më e pazhvilluar dhe më e diskriminuar në Evropë.

“Falë planit të Ahtisaarit dhe vullnetit të mirë të institucioneve të Kosovës, sot pakicat serbe gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre kombëtare. Sot serbët në Kosovë janë minoriteti më i avancuar por edhe më i privilegjuari në botë, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës sot janë popullata më e pazhvilluar dhe më e diskriminuar në Evropë…Dhe tash edhe Beogradi duhet e tregojë vullnet të mirë dhe të mos mohojë të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë që numerikisht nuk janë as më pak e a më shumë se sa serbët në Kosovë”, thekson Demaçi.

Ai deklaron se ish-bashkëpunëtori i Milosheviçit, Ivica Daçiç nuk është i interesuar për stabilitet, por për  acarim të situatës edhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë në Dobrosin.

“Në Tërnovc e në Breznicë nuk ndodhi asgjë, atje nuk gjuajti askush, por xhandarmëria serbe vetëm dy ditë para zgjedhjeve, herët në mëngjes ndërmori një aksion dhe u futën pa leje në shtëpitë e shqiptarëve duke trembur gra e fëmijë dhe arrestuar kë të mundin dhe dërguar në Beograd”, tha Adem Demaçi.

Sipas tij, shqiptarët dhe ndërkombëtarët janë dëshmitarë se që nga përfundimi i luftës, e marrëveshja e Konçulit, dhe e Kumanovës e deri më sot, asnjë marrëveshje nuk është zbatuar.

“Moszbatimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë mund të sjellë pasoja dhe surpriza në tensionimin e situatës në terren”, tha ai.

Adem Demaçi thotë se nëse Daçiç dhe Serbia vazhdon me këtë politikë antishqiptareatëherë ka ardhur koha që tashmë të zgjidhet edhe çështja shqiptare e Luginës së Preshevës, sepse asnjë problem nuk mund të zgjidhet pa një shkak. Sipas tij ky shkak sot është Serbia, dhe politika diskriminuese dhe antishqiptare e Beogradit. Edhe për rezistencën shqiptare ndaj kësaj pakënaqësie, Adem demaçi bën fajtore Serbinë.

“Serbia e sotme e Daçiçit po tregohet më agresive dhe më egër se ajo e para lufte dhe nuk do të ishte çudi ndoshta pse ndodh kështu, kur dihet se sot Serbia udhëhiqet nga partizanë dhe bashkëpunëtorë të diktatorit serb, pasardhësve të Milosheviçit”, nënvizoi Demaçi.

Demaçi bën me dije se Serbia me politikën e saj të dhunës dhe presionit sistematik ia ka dalë me sukses të realizojë projektet e spastrimeve etnike, duke filluar nga Medvegja, qytet ky i cili dikur ishte i populluar me shumicë shqiptare, ndërsa sot kanë mbetur një grusht shqiptarësh.
“Serbia nuk ka të drejtë të kërkojë asgjë për serbët në Kosovë, përderisa shqiptarëve të Luginës ia mohon. Ne jemi pajtuar në Kosovë që serbët duhet të gëzojnë të drejtat e tyre sipas normave ndërkombëtare, por edhe shqiptarët e Luginës duhet t’i gëzojnë këto të drejta as më pak e as më shumë se serbët e Kosovës. Krejt bota e dinë se shqiptarët janë popullata më e pazhvilluar, më e papunësuar dhe më e diskriminuar në Evropë. Atje shqiptarët nuk kanë të drejtë as për flamur, nuk ka as universitet, gjëra të cilat serbët i posedojnë në Kosovë”, deklaroi Adem Demaçi për agjencinë informative “Presheva Jonë”.

—————————————

JA EDHE KOMENTET E JUAJA:

Share · Il y a environ une heure via Cudira nga Bota!

SHPËRNDAJE