Del Boske: Kishim frikë nga Kroacia

Përzgjedhësi i Spanjës, Visente del Boske ka pranuar se ka marrë frymë lirshëm vetëm pas golit të Navasit, i cili u shënua në minutën e 88-të.
Ky gol i dha fitoren spanjollëve në ndeshjen e fundit në Grupin C dhe njëherësh ia siguroi pozitën e parë dhe kualifikimin në çerekfinale. “Ishte një fitore shumë e vështirë. Kemi pasur frikë gjatë tërë ndeshjes, por as për kroatët nuk ishte një sfidë e lehtë. Ne e kontrolluam lojën dhe patëm paraqitje më të mirë”, ka theksuar Del Boske, i cili ka thënë se kroatët i mbyllën shumë mirë të gjitha hapësirat në fushë dhe nganjëherë ishin të rrezikshëm në kundërsulme, sidomos kur topi ishte në këmbët e Modriqit. “Lojtarët e tyre shtatlartë na shkaktuan telashe, por fatmirësisht Kasilas ishte shumi i sigurt në reagimet e tij. E kemi ditur se barazimi nuk na përshtatej, sepse vazhdimisht ishim në rrezik për t’u eliminuar, megjithatë në fund arritëm disi ta kryejmë me sukses edhe këtë sfidë. Sidoqoftë, jam i kënaqur me ecurinë e ndeshjes, jemi të parët në grup dhe e presim të motivuar vazhdimin e kampionatit. Do të pushojmë mirë këto ditë dhe nuk ka rëndësi se kush do të jetë kundërshtari ynë në çerekfinale”, ka shtuar Del Boske.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni