Pas deklaratave të përsëritura që ka bërë kohët e fundit se, ai është në favor të ndarjes së Kosovës, sidomos të asaj që bëri ditët e fundit gjatë një interviste në revistën e përjavshme politiko-shoqërore serbe “NIN” se, do të jetë më mirë që Kosova të ndahej mes Serbisë dhe Shqipërisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka marrë disa kërcënime se do t’i rrëmbejnë djalin. “Para disa ditësh më kanë ardhur kërcënime që ata që i dërgojnë i lidhnin me ndarjen e Kosovës, madje më kërcënonin se do të më rrëmbenin djalin, por sidoqoftë, kjo e gjitha është pjesë e punës që kam përsipër të bëj”, – i deklaroi medias serbe vetë Daçiçi, duke shtuar se asnjëherë nuk mund ta dish se kur kërcënimet duhen marrë ose jo seriozisht. Megjithatë, drejtori i policisë së Beogradit, Milorad Veljoviç, i deklaroi dje gazetës së përditshme serbe, “Kurir”, se policia ka marrë të gjitha masat përkatëse në përputhje me vlerësimet e konsideratat e saj. “Kërcënimet janë anonime, por sidoqoftë kemi disa informacione të caktuara, deri te të cilat kemi arritur gjatë hetimeve që tanimë kemi ndërmarrë sa i përket kësaj çështjeje”, – i deklaroi gazetës së mësipërme një burim brenda policisë beogradase, duke shtuar se MPB-ja serbe ka marrë të gjitha masat për të garantuar sigurinë e ministrit dhe të familjes së tij. Prof. Zoran Dragishiç, i Fakultetit për Sigurinë e Beogradit, konsideron se kërcënimet duhet të vlerësohen seriozisht, pasi ministri Daçiç me veprimtarinë e tij duket se është bërë “halë në sy” dhe pengesë për disa qarqe të caktuara. “Këto kërcënime duhet të merren seriozisht dhe mendoj se MPB-ja ka kapacitete që ta mbrojë sigurinë e Daçiçit dhe të familjes së tij. Mendoj se qarqet që kanë kapacitete për të dërguar kërcënime të tilla nuk janë të panjohura për policinë”, – theksoi profesori universitar i lartpërmendur. Media serbe edhe vitin e kaluar ka shkruar për kërcënime në adresë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Policisë të Serbisë, si dhe të anëtarëve të familjes së tij nga ana e strukturave kriminale për shkak të konfiskimit të pronave të tyre. “Kështu po jetoj prej dy vitesh, por ky është një rrezik të cilin unë e kam marrë parasysh”, – theksoi vetë Daçiç

SHPËRNDAJE