Dasma tragjike në Suharekë, n’vend tupanëve e dahireve, krisin llosat e revolet

Dekë e dasmë në një ditë

Shtëpitë e vëllezërve Jonuz (e portokalltë) dhe Nuhi Kryeziut, në Reshtan, afër SuhraekësShtëpitë e vëllezërve Jonuz (e portokalltë) dhe Nuhi Kryeziut, në Reshtan, afër Suhraekës

Gëzimi i Kujtim Kryeziut për dasmën e tij u rrotullua shpejt në një pikëllim të thellë pasi ajo u mor si shkas për një rrahje masive me dru, çekan e thika mes familjarësh e miqsh, të nesërmen. I vëllai i vdiq nga plagët e marra. Disa të tjerë janë të plagosur.

Martesa e njërit prej djemve të tij, më 2 gusht të këtij viti, në fshatin Reshtan të Suharekës, Nuhi Kryeziut iu kthye në një ngjarje të hidhur. Ajo nxiti një rrahje masive që ndodhi të nesërmen nga e cila humbi jetën djali i tij 32 vjeçar, Burimi, ndërsa iu lënduan edhe pesë djem të tjerë.

Në rrahje ishin të përfshirë djemtë e Nuhiut në njërën anë, ndërsa në tjetrën dhëndri/miku e nipi i tij nga Peçani së bashku me, siç tregon ai, vëllain e Nuhiut me djemtë që janë edhe fqinjët e tyre të parë, raporton “Jeta në Kosovë”

Ato kishin mosmarrëveshje dhe madje nuk shkonin ndërmjet vete për një kohë, ndonëse konflikti, sipas familjeve, më shumë kishte të bënte me adete e jo me ndonjë konflikt të natyrës çfarë ndodhi.

Dhe pavarësisht se nuk shkonin, Nuhiu, kishte ftuar vëllain me familje, e po ashtu edhe miqtë nga fshati Peçan, rreth 20 minuta larg, mysafirë në dasmë. Asnjëra palë nuk i kishte shkuar.

“Me vëllain, edhe gratë i kemi motra. Ato janë motrat e Izet Shalës nga Peçani. Në anën tjetër, edhe motra jonë është e martuar për Izetin. Jemi të lidhur si thoi me mishin…”, thotë Nuhi Kryeziu.

Mirëpo miqtë nga Peçani kishin shkuar, megjithatë, tek Jonuz Kryeziu.

Dhe në ditën e dasmës, familjarët e vëllait të tij, Jonuzit, dhe miqtë nga Peçani parkuan veturat para dyerve të shtëpisë, thotë Nuhi Krueziu. Shtëpia e Jonuzit është e afërt me atë të Nuhiut dhe kështu familja e këtij të fundit e mori këtë gjest si provokim – si pengesë për dasmorët.

“I kam çuar edhe njeri Izetit (dhëndrit e mikut) që të mos të vijë e të më provokoj më”, thotë Nuhi Kryeziu. “Mirëpo ai për inat edhe të nesërmen erdhi këtu”.

Sipas versionit të tij, djemtë e Nuhiut, Fitimi dhe Mejdiu ishin në shitoren e tyre që e kanë ngjitur me shtëpi. “Ka ardhur Izet Shala me djalin Fadilin (nipi i Nuhiut). Fadili ka sharë me robë. Aty janë kapur të rrihen mes vete, para shitores”.

“Në atë moment ka dalë vëllai im 75 vjeçar, Jonuzi. Me çekiç e ka goditur së pari djalin tim Blerimin, pastaj ka shkuar te Mehdiu dhe më pas në kokë e ka goditur tani djalin tim të ndjerë Burimin”, tha kryefamiljari Nuhiu.

“Pas goditjes me çekiç, Burimin me dru e ka goditur Enver Kryeziu (djali i Jonuzit), pastaj edhe nipi Fadil Shala e ka goditur atë me dru në shpinë dhe qafë. Aty djali (Burimi) ka rënë përtokë”, rrëfen Nuhiu.

Blerim Kryeziu nga goditjet e kishte humbur vetëdijen.
foto
Nuhi Kryeziu tregon ngjarjen

I vetmi nga shtatë djemtë e Nuhiut që nuk kishte marrë pjesë në këtë rrahje mes familjarëve ishte Kujtimi, i cili ishte bërë gjatë natës.

“Unë nuk kam parë asgjë. Kam qenë lart në dhomë. Kur kam dalë jashtë, gjithçka kishte përfunduar… Është shumë e vështirë”, thotë ai.

Por Nuhiu, babai, ngjarjen thotë se e ka të freskët. “Tre djemtë tjerë – Nijaziun, Fitimin dhe Besnikun – me sytë e mi i kam parë kur djali i vëllait tim, Hetemi, ua ka futur thikën. Së pari e ka therur Nijaziun, pastaj Fitimin në shpatull dhe në bark, dy herë”.

“Unë jam shtangu edhe vetëm kam këqyrë…e kam humb vetëdijen krejt. Vetëm i kam thënë vëllait, ‘o baci Jonuz, ndali djemtë bre se horë u bonëm’. Ai nuk më dëgjoi dhe qe deri ku erdhëm…”.

“Tani vëllai im me djemtë dhe miku Izeti rrinë në shtëpi. Djalin ma vranë (Burimin) para dyerve dhe pesë të tjerë i plagosën.Unë dhe djemtë e mi e kemi parë se kush na e vrau Burimin. Pushkë për vëlla nuk kam, por unë kërkoj drejtësi”, tha Nuhi Kryeziu.



Nga plagët e marra, pas shtatë ditësh, më 9 gusht, ndërroi jetë Burim Kryeziu.

Gjatë tërë javës për të ishte kujdesur e motra, V.Kryeziu. Edhe ajo do të shkonte nuse të nesërmen, më 10 gusht, në Prishtinë.

Për të mos ia prishur dasmën, Nuhiu me djemtë tjerë e kishin lënë trupin e pajetë të Burim Kryeziut në morgun e Prishtinës dhe kishin shkuar në gëzimin e saj.

E bija e tyre kishte marrë në natën e vdekjes një telefonatë nga spitali që i kishte rrëfyer se i vëllai kishte humbur jetën. “Por baba më ka thënë se ‘nuk është e vërtetë’, se Burimit vetëm iu ka keqësuar gjendja, shkaku që të më nis nuse…Këtë që e ka bërë babai im, nuk besoj që do të kush mundur ta bëj dikush tjetër”, thotë V.Kryeziu.

“Vëllain e ka lënë të vdekur dhe mua më ka çuar nuse. U ka thënë vëllezërve që të vijnë dhe të gjithë ishin në dasmë. Ndenjën gjysmë ore, të veshur zi, dhe shkuan. Rrija me qetësues…”.

“Të nesërmen, kur kam shkuar në shtëpinë e babës, e kam kuptuar se vëllai më ka vdekur, e kam parë fotografinë para derës…”, rrëfen ajo.

Goditjeve të kësaj rrahje masive mes familjeve, nuk u kishte shpëtuar as nëna e të ndjerit.

Ajo thotë se e kishte lënduar dorën derisa po provonte të mbronte djalin e saj.

“Djalin ma vranë dhe të tjerët m’i plagosën. Kërkoj që të ketë drejtësi”, u shpreh ajo.

Familja e Jonuz Kryeziut distancohet, ajo e Izet Shalës thotë se ishin sulmuar

Gazeta e ka kontaktuar familjen e Jonuz Kryeziut. Ky i fundit së bashku me djemtë thanë se nuk kanë marrë pjesë në vrasjen dhe rrahjen e djemve të vëllait të tij Nuhiut dhe se ata vetëm kanë ndërmjetësuar.

Driton Kryeziu, i biri i Jonuzit, tha se “rrahja mes djemve të Nuhiut dhe miqve nga fshati Peçan kishte filluar para dyerve të tij, e jo para dyerve të Nuhiut”.

Por Jonuz Kryeziu me djem, pasi hodhën poshtë pohimet nga familjet e vëllait, nuk pranuan të flasin më shumë në lidhje me këtë ngjarje.

Ata thanë se për këtë punë duhet të flasë miku, Izet Shala, sepse, sipas tyre, problemi ka qenë mes familjes së Nuhiut dhe Izetit.

Arsimtari Izet Shala, dhëndri dhe miku i familjes, tha se kishin qenë të sulmuar nga djemtë e Nuhiut.

Izeti tha se aq shumë ka qenë i goditur, sa që nga gjaku që e ka pasur në fytyrë nuk ka parë asgjë.

Ajo tha se familja e Jonuz Kryeziut kishte ndërhyrë vetëm “për t’na ndarë”.

Izet Shala shtoi se me siguri djemtë e Nuhi Kryeziut e kanë goditur njëri-tjetrin pasi, sipas tij, ka qenë tollovi e madhe.

Familja Shala nuk pranoi të diskutojë ngjarjen më në detaje.

Edhe fqinjët zgjedhin heshtjen

Si në familjen e Nuhiut, edhe në atë të Jonuzit, e po ashtu edhe Izet e Bajram Shala, na thanë se ka pasur dëshmitarë për këtë rast.

Të gjitha palët përmendën personin që punonte me autolarje përballë shtëpisë së Nuhiut. Mirëpo, ky i fundit nuk ka dhënë detaje për ngjarjen.

“Unë këtu kam qenë, po nuk kam parë asgjë, se kam qenë duke larë një veturë, e kjo fshesa e rrymës i ka pasur disa llagerë të thyer e bënte shumë zhurmë…nuk kam parë asgjë se e kam pasur kokën ulur duke larë veturën”, tha ai.

Ne e pyetëm edhe fqinjin tjetër që punonte si zdrukthëtar, mirëpo edhe ai nuk dinte asgjë.

“Nuk kam parë asgjë, nuk isha këtu. Kur erdha vetëm pashë xhama të shisheve të thyer…këmbët më kanë lëshu. Ishte trishtim me pa ashtu, po nuk e di për rastin se si ka ndodhur”, tha fqinji.

Pesë prokurorë në rast

Prokurorja e qarkut Ervehe Gashi, e cila udhëheq me hetimet e këtij rasti, tregoi se kjo lëndë ka qenë shumë voluminoze, ngase dyshohet se ka një numër i madh i personave pjesëmarrës në këtë rrahje masive “Si rezultat i kësaj janë angazhuar edhe katër prokurorë tjerë”, tha ajo.

Për prokurorinë, fillimisht ka pasur vetëm një të dyshuar për vrasje – Fadil Shala nga Peçani (i biri i Izetit).

Tre të tjerë, dy prej tyre djem të Nuhi Kryeziut dhe një i Jonuz Kryeziut, ishin të dyshuar për lëndim të rëndë trupor.

Po ashtu prokurorja Gashi njoftoi se meqë kanë pushuar arsyet e mbajtjes në paraburgim, i ka propozuar gjykatës që ndaj tre personave të dyshuar për kryerje të veprës penale të lëndimit të rëndë trupor tu ndërpritet masa e paraburgimit.

Ndërkohë ajo i ka zgjeruar hetimet edhe ndaj tre personave tjerë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të vrasjes.

“Pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe të dëmtuarve, prokuroria ka ardhur në përfundimin se ekziston dyshimi i arsyeshëm se edhe tre persona të tjerë janë të involvuar në vrasjen e viktimës”, tha Gashi.

“Po ashtu, prokuroria me vetiniciativë, ka zgjeruar hetimet edhe për një vepër penale të lëndimit të rëndë trupor ndaj një viktime të mitur. Është në pyetje një djalë që është 5 vjeç, i cili ka qenë dëshmitar okular i rastit, dhe si pasojë e gjërave që ka parë, në bazë të ekspertizës  neuropsikiatrike, ai ka fituar trauma nga të parit e ngjarjes”, tha prokurorja Gashi.

Prokuroria pret autopsinë

Gjykata ka marrë vendim në shtator me të cilin ua ka ndërprerë masën e paraburgimit dy djemve të Nuhiut dhe djalit të Jonuzit, të dyshuar për lëndim të rëndë trupor, duke ua zëvendësuar këtë masë me masën e paraqitjes në stacionin policor.

Ndërsa Fadil Shala vazhdon të qëndrojë në paraburgim, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të vrasjes.

Prokuroria ka përfunduar të gjitha hetimet sa i përket këtij rasti, mirëpo ende nuk ka ngritur aktin akuzues, pasi që është në pritje të autopsisë.

  • http://www.facebook.com/profile.php?id=100003555821684 Jeton Loshaj

    turp per kete njeri te ndyr me i aferm miku se sa vellau marre kete duhet pushkatu
    ket ndyrresir

  • presevari

    u dasht edhe foton ta kopjoni nga jnk se ata ne foto kan shtepit andaj herav qera kur kopjoni lajme se paku shkrune burimin ku keni kopjue

  • bekim qosaj

    ngushlime familjes burimit zoti ju qoft sabrin edh njeherti si thojn nje fjal eurt epopulit.mos me provo zot.kjo esht nje tragjedi marramense.