http://www.botasot.info/img/nexhat-daci-.jpgNga posti i kryetarit të Kuvendit në deputet të thjeshtë, e në zgjedhjet e fundit mbeti tërësisht jashtë Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, kjo nuk e tremb kreun e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Dacin që t’i futet garës për president të Republikës së Kosovës. Në një intervistë për Kosovapress, Daci ka thënë se është i përgatitur për këtë garë, por nuk dëshiron që presidenti i ardhshëm të jetë, siç thotë ai, i ngjyrosur me ngjyrë partiake.

Për një garë të tillë, përveç mbështetjes së LDD-së, Daci pret ta ketë edhe mbështetjen e mjedisit akademik e profesional, të shoqërisë civile e pse jo edhe mbështetjen e ndonjë partie politike.

“Nuk preferoj që presidenti i ardhshëm të jetë i ngjyrosur me një ngjyrë. Në ato raste besoj që unë do të abstenoj prej kandidaturës. Normale do të jetë nën një në rend të parë, a ka unitet brenda shtëpisë tënde dhe nëse LDD-ja do të kishte mendim tjetërfare unë do t’i përshtatesha, sepse nëse nuk e do të parin shtëpia e vetë, ku dreqin ki me thy qafën me lyp. Tek unë jam kriteret e qarta, prandaj po them po presim ndryshimet kushtetuese. Unë po e përgatis veten dhe mjedisin akademik, profesional, njerëzor, të dëgjoj mendimin e të tjerëve, dhe në qoftë se ka vullnet, unë jam i gatshëm t’iu ofrohem shtetasve të Kosovës dhe shqiptarëve kudo që janë”, ka thënë Daci.

Kreu i LDD-së nuk e sheh si pengesë për kandidimin e tij as faktin që LDD-ja vazhdimisht ka pësuar rënie as faktin që ai dhe disa bashkëpunëtorë të tij janë përballur me një proces gjyqësor për keqpërdorime gjatë kohës sa ishte kryeparlamentar.

“Unë do të jem i vetmi kandidat që kam dokument që më lejohet veprimtaria politike. Një rezultat që nuk e kanë pritur ata që e kanë mbështjellur dhe e kanë formuar atë proces gjyqësor. Në fund megjithatë ka triumfuar. Merreni me mend për 1550 euro të cilat kurrë nuk i kam parë, kurrë nuk i kam kërkuar, nuk i kam nënshkruar apo konsultuar, ka qenë shkalla e parë që i ndalohet veprimtaria për një vit e gjysmë apo dy, dhe unë kam qeshur. Në fund është hequr ajo me vendim të Gjykatës Supreme”, është shprehur Daci.

Kreu i LDD-së jashtëparlamentare i jep mbështetje Qeverisë së Kosovës procesin e dialogimit me Serbinë, të cilin e vlerëson si proces pozitiv, por ka një vërejtje për kreun e Qeverisë, Hashim Thaçin.

“Unë do të sugjeroja që kreu i Qeverisë të ketë një gjerësi shumë më të madhe njerëzore dhe shpirtërore dhe të krijojë ambient ku do të kyçej opozita, sepse nuk vijnë raste të shpeshta të këtilla. Këtu është një vërejtje kryesore dhe këtë mosunitet po e shfrytëzon racionalisht pala e Beogradit dhe ata që nuk janë për pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai mbështet ekzekutivin e vendit edhe për veprimet në veri të Kosovës, ndërkaq kur është fjala për veprimet e mëtejme pas datës 25 korrik të Qeverisë dhe institucioneve tjera vendore në veri të Kosovës, Daci thotë se mundohet ta kuptojë Qeverinë e Kosovës.

“Unë mundohem ta kuptoj që Qeveria megjithatë nuk i ka duart e lira si një qeveri normale. Unë do doja ta shajë, por nuk e kam atë nivel as të kulturës as të edukatës dhe mundohem të jem jo i ngjyrosur me ngjyrë partiake. Po mundohem që krejt gafet që janë bërë në veri, pas asaj date, t’i kuptoj si mungesë e kapaciteteve, qoftë të lirisë institucionale, qoftë edhe të mundësisë reale”, është shprehur Daci.

Ai mohon të ketë pasur ndonjë shenjë kohëve të fundit se LDD-ja dëshiron të bashkohet me LDK-në, që prej kohës kur kjo parti i kishte drejtuar një letër ish kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu.

“Po ju them me përgjegjësinë njerëzore, nga LDD-ja nuk ka pasur ofertë dhe krejt ai partizanllëk që është bërë, është ndonjë mendim individual me të cilin unë nuk polemizoj. Qëndrimi i LDD-së është ky dhe LDD-në e përfaqëson kryetari dhe kryesia. Nuk ka pasur as në kafe pune diçka të tillë, se jo më në mbledhje të LDD-së. Mund të jenë vullnete pozitive të anëtarëve të caktuar, por jo ta përfaqësojë LDD-në”, ka thënë Daci.

Sa i përket organizimit partiak, Daci thekson se tani LDD-ja është kthyer në stadin fillestar të organizimit të saj dhe beson se çdo ditë e më shumë po forcohet. Daci vazhdimisht ka thënë se ai ka faj për mbetjen e LDD-së jashtë Kuvendit, por thotë se nuk ka pasur asnjëherë një zë brenda partisë që do të synonte kreun e partisë, ngase ai thotë se është i gatshëm që të largohet nëse do të ketë dikush brenda LDD-së synim që ta marrë postin e të parit të partisë./Kosovapress/

SHPËRNDAJE