Cristiano Ronaldo, ylli i kombëtares portugeze në EURO 2012, parashikoi se përfaqësuesja luzitane do të arrijë t’i “mbijetojë” atij që quhet “Grupi i Ferrit” dhe kujtoi se jo gjithmonë fitojnë favoritët në një turne.

Portugalia ndodhet në grupin B së bashku me Gjermaninë, Danimarkën dhe Hollandën, por sulmuesi i Real Madrid është optimist: “Jemi në një grup të “tmerrshëm”, por nuk ka vlerë të ankohemi. Do të punojmë shumë dhe do të kalojmë në fazën tjetër. Jo gjithmonë favoritët fitojnë ndeshjet.”

“Duhet të kemi besim në forcat tona dhe pak fat për të bërë një kampionat të mirë”, deklaroi Cristiano në një intervistë për uefa.com.

27-vjeçari, i cili ka luajtur me Portugalinë 90 ndeshje duke shënuar 32 gola, theksoi se Gjermania është një skuadër e mrekullueshme, por edhe Portugalia ka armët e saj: “Kemi potencial dhe disa pika të forta në skuadër. Duhet të jemi të qetë sepse gjërat do të shkojnë mirë.”

Ndeshja Gjermani-Portugali do të luhet të shtunën në orën 20.45.

SHPËRNDAJE