Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, takoi sot në New York,sekretaren e shtetit të SHBA-së, zonjën Hilary Clinton. Zonja Clinton në përshëndetjen e saj me Presidenten Jahjaga tha se ajo po e përfaqëson dhe prezanton në mënyrë të denjë Kosovën.

Ajo tha se SHBA-ja do të jetë përkrah Kosovës në çdo hap dhe po i jep krah në rrugën e saj përpara. Sekretarja amerikane e shtetit tha se është bërë një punë e rëndësishme me BE-në për ofrimin e kandidaturës për Serbinë dhe në veçanti për hapjen e perspektivës evropiane për Kosovën.

Zonja Clinton tha se ndihma e SHBA-së për Kosovën do të jetë e vazhdueshme në të gjitha fushat

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, duke e falënderuar zonjën Clinton tha se mbështetja që SHBA-ja vazhdon t’i jap Kosovës është e një rëndësie të posaçme që ndihmon të gjitha proceset në vend.

Presidentja Jahjaga tha se marrëveshjet e arritura me Brukselin do të ndihmojnë edhe Republikën e Kosovës dhe Republikën e Serbisë në rrugën e tyre përpara drejt integrimeve evropiane.

Ajo tha se bashkësia ndërkombëtare insistoi më shumë angazhimin e Republikës së Serbisë në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe në veçanti në shuarjen e strukturave të jashtëligjshme në tri komunat në veri të Kosovës, njofton zyra për shtyp e Presidencës.

Presidentja e Republikës së Kosovës dhe sekretarja amerikane e shtetit bashkëbiseduan edhe për një numër çështjesh të tjera, në veçanti për masat e gjithëmbarshme në luftimin e korrupsionit dhe angazhimin më të madh të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, për arritjen e rezultateve më të mira në sundimin e ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.(Express)

SHPËRNDAJE