Kryeministri Hashim Thaçi sot gjatë ditës ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton.

“Temë kyçe e bisedës ishte kërkesa e kryeministrit Thaçi që Kosova të mbështetet në implementimin e agjendës euro-atlantike, në mënyrë që Republikës së Kosovës t’i hapen dyert drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet ne nje njoftim te Zyres se Kryeministrit.

Sekretarja Clinton ka rikonfirmuar edhe njëherë që Republika e Kosovës do të ketë mbështetje të parezervë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim.

“SHBA do të vazhdojë të qëndrojë përkrah qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, theksoi ajo.

“Sekretarja Clinton i ka rikujtuar edhe njëherë kryeministrit Thaçi dhe gjithë popullit të Kosovës që SHBA-ja asnjëherë nuk do t’i sugjeronte Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë veprime të cilat do t’i dëmtonin interesat e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, në rrugën e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet euro-atlantike”, thuhet me tej ne njoftim.

Gjithashtu, sekretarja Clinton e uroi kryeministrin Thaçi me rastin e përvjetorit të katërt Republikës së Kosovës, si dhe e përgëzoi për të arriturat gjatë këtyre viteve. (Expressi)

SHPËRNDAJE