CLINTON E JAHJAGA, FLASIN, QESHEN E VISHEN KUQ E ZI

CLINTON  E JAHJAGA, FLASIN, QESHEN E VISHEN KUQ E ZI

Sekretarja amerikane e Shtetit, zonja Hillary Clinton, në paraqitjen e saj të “Planit kombëtar të aksionit për paqen, gratë dhe sigurinë”, të mbajtur në Universitetin Georgetown në Washington, një pjesë të fjalës ia dedikoi Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, pjesëmarrëse në këtë konferencë.

 

Duke e përshëndetur Presidenten Jahjaga, zonja Clinton tha se i dëshiron personalisht mirëseardhje Presidentes së Kosovës “lideres së paqes dhe pajtimit dhe kampionit për gratë në vendin e saj dhe më gjerë”. Zonja Clinton tha se “Presidentja Jahjaga është zë i fuqishëm dhe personalitet me të cilin duhet të impresionohemi dhe të jemi krenarë”.

 

Në paraqitjen e planit kombëtar për gratë paqen dhe sigurinë, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton i kushtoi një rëndësi të veçantë Kosovës dhe posaçërisht Presidentes Jahjaga. Ndër të tjera, sekretarja Clinton theksoi:

“Më lejoni që ta përmbyllë këtë fjalë duke ju treguar për një grua, përvoja dhe arritjet e së cilës mishërojnë atë për të cilën po diskutojmë sot, dhe ajo është mysafirja jonë e posaçme, Presidentja e Kosovës. Ajo është sot këtu me ne. Unë kam pasur rastin që të kaloj një kohë të jashtëzakonshme me atë gjatë ditëve të kaluara dhe në takime përpara se të vinte. Dhe as unë, si Carol, nuk dua që t’ju them se sa e re është, por të themi se ka arritur shumë brenda një kohe të shkurtër.

Presidentja e ardhshme ishte ende studente kur lufta shkatërroi vendin e saj. Tani, unë nuk do t’i harroj kurrë ato ditë – takimet me familjet nga Kosova në kampet e refugjatëve, takimet me familjet e tjera në Evropë, duke dëgjuar rrëfimet e tyre se si janë detyruar që me dhunë të largohen nga shtëpitë e tyre nën tytën e armës, ose dhimbjen e papërshkruar në sytë e mjekut që thjeshtë është dëbuar pa i dhënë ndihmë pacientit të saj. Ishte një konflikt i tmerrshëm, dhe unë jam krenare për rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur për t’i dhënë fund dhunës.

Pas mbarimit të studimeve, kjo grua e re, që atëherë nuk shihej si presidente e ardhshme e një Kosove të pavarur, filloi punën si police, për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe në mbrojtjen e komunitetit të saj. Ajo punoi ngushtë me trupat ndërkombëtare. Ajo fitoi respektin e kolegëve të saj, edhe të atyre në vijën e parë për mbrojtjen e ligjit, por edhe të atyre në zyra, ku merren vendimet, dhe ajo fitoi besimin e bashkëqytetarëve të saj, burrave dhe grave njëlloj.

 

Ajo u ngrit në detyrë shpejt, për të ndihmuar në udhëheqjen e një force të re të policisë së Kosovës. Dhe pastaj në fillim të këtij viti, ajo u bë femra e parë e zgjedhur Presidente e Kosovës, dhe gjithashtu edhe femra e parë e zgjedhur Presidente në gjithë Ballkanin. Që atëherë, ajo ka treguar një lidership të vazhdueshëm dhe ka punuar për ta bashkuar vendin e saj rreth programit të qeverisjes së mirë, sundimit te ligjit, pajtimit etnik dhe stabilitetit rajonal. Gjithashtu ajo u bë udhëheqëse për mbrojtjen e të drejtave dhe për mundësitë e barabarta për gratë në Kosovë. Dhe ashtu sikundër e ka shpjeguar në konferencën e fundit për investime në Zagreb, me ndërmarrëset femra, ajo e kupton rolin që gratë duhet të luajnë në ngritjen e prosperitetit dhe të sigurisë rajonale.

Ashtu si edhe shumë gra të tjera në botë, Presidentja Jahjaga përjetoi dhimbjet e luftës dhe ishte e vendosur që të sigurojë përfitimet e paqes. Kosova është më e mirë sepse ajo insistoi që të jetë pjesë e vendimmarrjes. Qëllim yni i përbashkët duhet të jetë që të hapim mundësitë për gratë, kudo ku paqja dhe stabiliteti kërcënohen që edhe ato të mund të kontribuojnë për një siguri të qëndrueshme për komunitetet dhe vendet e tyre.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni