Çiljeta Xhilaga, duke folur për revistën Klan, ka hedhur poshtë fjalët e thëna lart e poshtë pas zgjedhjes së Greta Koçit si nënkryetare të FRPDSH-së. Dalja e papritur e Gretës në skenën politike i hapi rrugë shumë thashethemeve sipas të cilave Çiljetës i ishin lëkundur themelet si e preferuar aty dhe se konkurrenca dukej të ishte e fortë mes të dy vajzave.

“Nuk arrij të kuptoj se ç’lidhje ka kjo në fakt. Në Partinë Demokratike mund të angazhohen shumë këngëtarë dhe secili ka rolin e tij”, thotë ajo duke ngritur supet. Shton se përfshirja e saj në PD-së është ajo që ka qenë gjithmonë, pa lëkundje e as ndonjë forcim të mëtejshëm të rolit të saj. Në të njëjta pozita mbetet edhe ambicja e Çiljetës, e cila betohet se do të mbetet “demokratë e flaktë” dhe se asgjë nuk mund ta ndryshojë bindjen e vet politike.

Aktualisht vazhdon të jetë anëtare e Këshillit Kombëtar e zgjedhur dy vjet të shkuara me 502 vota. Ndjek rregullisht mbledhjet dhe i gëzohet të njëjtave miqësive që ka brenda partisë, siç i ka pasur gjithmonë. Pra asgjë nga ato që janë thënë për ftohje me krerët, përfshirë edhe Berishën, nuk është e vërtetë sipas Çiljetës. Aq më pak në marrëdhënia me kolegen e saj, Gretën, që ndërkohë është qind për qind e angazhuar në grumbullimet e rinisë demokratike nëpër Shqipëri.

“Edhe me Gretën kam marrëdhënie shumë të mira, si kolege dhe si shoqe. Unë nuk kam një angazhim të tillë në parti sepse kam pasur edhe projekte të tjera të miat, por kjo nuk do të thotë se ardhja e Gretës ka pasur lidhje me mua”. Kështu ngre supet edhe përballë pyetjes nëse dalja e papritur e Greta Koçit në drejtim të FRPDSH-së ia ka tunduar ambicjen për të bërë edhe ajo diçka të ngjashme, në mos aty, në një drejtim tjetër brenda strukturave të PD-së.

Nuk ka ende plane për këtë dhe mbase i mjafton fakti se është brenda strukturave të partisë dhe çdo herë kur është rasti i nevojshëm e bën siç duhet punën e saj. Për më vonë nuk i dihet.

SHPËRNDAJE