Koalicioni qeverisës po vazhdon funksionimin e tij normalisht, ndonëse disa deputetë të PDK-së vazhdimisht kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, duke bërë që në një mënyrë të filloi një lloj “lufte” që PDK-ja po i bën kryeministrit.

E filloi Shukri Buja, vazhdoi Shaip Muja, ndërsa i fundit nga radhët e PDK-së që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Mustafa, është deputeti Nait Hasani.

Ai duke marr si pretekst ligjin për themelimin e ushtrisë, ka thënë se presidenti ka marr vendim dhe e ka procedu Ligjin për FSK-në dhe se janë ministritë, ato që e kanë dhënë fjalën e vet, e tash e ka radhën Qeveria e cila brenda një afati prej 30 ditës duhet të miratoj dhe ta dërgojë në Kuvend, ku sipas Hasanit, nëse kryeministri nuk e sjell Ligjin për Ushtrinë në Kuvend, duhet të jep dorëheqje.

Por këto deklarime të njëpasnjëshme të deputetëve të PDK-së ndaj kryeministrit Mustafa, kanë ngjallë dyshime se prapa tyre mund të qëndroi lideri i tyre, Kadri Veseli, dhe se ky është një plan i tij që vendin ta qoj drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Deklarime individuale

Por në lidhje me këtë, i kontaktuar nga gazeta “Bota sot”  deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj,  ka thënë se kryeparlamentari Kadri Veseli nuk qëndron assesi prapa kësaj, sepse po të ishte Veseli atëherë do të duhej që vendi tani të shkojë në zgjedhje.

Sipas tij, këto zëra deputetësh sigurisht që janë mendime personale të deputetëve të PDK-së.

“Çdo deputet kur e ka ndonjë arsye që e sheh që është pengesë diku sigurisht se ai e shpreh mendimin e vet. Dhe definitivsht mendoj se janë mendime personale apo individuale të deputeteve, por assesi që prapa  kësaj fshihet Kadri Veseli. Po ashtu jam i bindur që kjo nuk është një luftë që PDK-ja po i bën kryeministrit për arsye se Kadri Veseli dhe kryeministri Mustafa kanë raporte të mira mes veti, dhe ata vet mund të merren vesh dhe të shkojnë në zgjedhje nëse nuk do të ecte kështu. Mendoj se ende ka mundësi që të funksionoj ky koalicion por normalisht se pakënaqësi ka çdo kund dhe në të gjitha sferat e jetës, si në ekonomi si në politikë si në rreth demarkacionit ushtrisë etj. Dhe nëse qytetarët e kanë parë të arsyeshme se këto premtime priten që të bëhen, atëherë sigurisht se edhe deputetet dalin me deklaratat e tyre”, ka thënë deputeti Zogaj.

Ndërsa deputeti i LDK-së Sadri Ferati, për gazetën “Bota sot”,  ka thënë se në bazë të informatave që posedon LDK-ja, këto kërkesa janë vetëm disa zëra individësh të cilët nuk kanë qëndrime nga forumet.

“Sipas informatave që i kam unë rreth heqjes së kryeministrit Mustafa ata janë vetëm disa zëra individësh por që nuk kanë qëndrime nga forumet. Pastaj janë zgjedhjet lokale dhe disa provojnë me përfituar nga këto deklarata”, ka thënë Ferati.

Luftë e hapur e PDK-së e Veselit

Kurse, ndryshe mendon opinionisti Nexhat Haziri. Sipas tij,  kërkesa e një numri deputetësh të PDK-së, për dorëheqje të kryeministrit Mustafa, është tregues i qartë për një jo stabilitet në koalicionin qeverisës në mes dy partive politike, LDK-së dhe PDK-së, dhe ky koalicion po mbijeton me zor.

Sipas tij, është shumë e qartë se këta zëra që vijnë nga deputetët e PDK-së, duhet parë edhe si shantazhim ndaj kryeministrit Mustafa, në mënyrë që kryeministrin ta detyrojnë që ai të qeverisë sipas agjendave të PDK-së dhe jo sipas një program të dakorduar qeveritar në mes dy partnerëve.

“Është një luftë e hapur e PDK-së ndaj kryeministrit Mustafa, për ta penguar punën dhe rezultatet e tij, cilado qofshin ato, pasi këto rezultate i shohin si merita të kryeministri, e jo si merita të përbashkëta dhe të cilat mund ta favorizojnë LDK-në në zgjedhjet e ardhshme nacionale. Këta zëra, janë një strategji e vetë PDK-së, që z. Mustafa t’ia bëjnë sa më të vështirë qeverisjen e vendit dhe rrjedhimisht edhe sa më të shkurtër mandatin e tij si kryeministër i vendit. Natyrisht se prapa këtyre zërave qëndron kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëheri edhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, i cili po shfaqet gjithnjë e më shumë në rrolin e kryeministrit të vendit, duke marrë pjesë e prerë shirita në përurime të projekteve të ndryshme ekonomike, infrastrukturore, tubime të ndryshme me kategori të ndryshme të shoqërisë sonë, dhe premtimet e tij për ngritje pagash, pensionesh, spote politike ku ai shfaqet thuajse në rrolin e kryeministrit të vendit”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se e gjithë kjo është një sfide për  kryeministrit Mustafa nga ana e kryetarit të Kuvendit, i cili për ta dobësuar sa më shumë rrolin e tij në Qeveri por edhe të vetë LDK-së si partnere në koalicion, dhe në rastin e parë vendin ta qojë në zgjedhje të parakohshme.

“Ky është synimi i Kadri Veselit, që sa ma parë ta realizoj ambicien e tij për tu bërë kryeministër I vendit. Dhe duke marrë parasysh të gjitha këto, ky koalicion qeverisës në mes PDK-së dhe LDK-së mund të mos mbijetojë deri në fund të mandatit të tij, rrjedhimisht deri në vitin 2018”, ka thënë opinionisti Haziri

SHPËRNDAJE