Njëri nga të dyshuarit e arrestuar për përgatitje të sulmeve terroriste, sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit i kishte dhënë pasaportën e tij, Lavdrim Muhaxherit.

 

“I pandehuri edhe vet ka deklaruar se ka pasur kontakte me Lavdrim Muhaxherin dhe se të njëjtit i ka dhënë pasaportën e vet me qëllim që me të, të shkoj në Turqi, për shërim nga plagët e marra në Siri”, thuhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit, raporton Kallxo.com

 

Se ia kishte dhënë pasaportën Lavdrim Muhaxherit, njërit ndër pjesëmarrësve kosovarë më famëkeq në ISIS, e pranon edhe i dyshuari për terrorizëm por thotë se kjo ka ndodhur para 5 viteve dhe nuk ka pasur më asnjë kontakt me Lavdrim Muhaxherin.

 

“Është e vërtetë që unë ja kam dhënë pasaportën e Maqedonisë, Lavdrim Muhaxherit meqenëse i njëjti në atë kohë më ka thënë se ka pasur lëndime trupore në bark pasi është plagosur në Siri. Unë ja kam dhënë pasaportën dhe ai ka shkuar për shërim në Turqi por nuk kam pasur asnjë kontakt tjetër me të”, tha i dyshuari.

 

Këtë pretendim prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Merita Bina-Rugova e ngrit për të mbështetur kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj njërit prej të dyshuarve të këtij rasti.

 

Prokurorja Rugova-Bina më tej në kërkesën e saj thotë se prej 11 të dyshuarve, 6 prej tyre tanimë në tërësi në deklaratat e tyre e kanë pranuar veprën penale për të cilat dyshohen.

 

Gjithashtu prokurorja Bina-Rugova pretendon se tek shumica e të dyshuarve janë gjetur libra fetar që janë të ndaluar nga Bashkësia Islame e Kosovës.

 

Prokurorja më tej në kërkesën e saj pretendon se të dyshuarit ishin të ndarë në dy grupe, roli i njërit prej grupeve ishte të kryejë sulme gjatë ndeshjes futbollistike Shqipëri –Izrael, ndërsa tjetri ishte përgjegjës për sulme në Kosovë.

 

Të gjitha këto pretendime të Prokurores, janë paraqitur në seancën për caktimin e paraburgimit ndaj 17 të dyshuarve për terrorizëm.

 

SHPËRNDAJE