Çështja e zgjidhjes së emrit nuk është e largët

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti nuk pret që delegacioni qeveritar nga Nju Jorku të kthehet me zgjidhjen e problemit të emrit por pret që kjo çështje të arrihet në një të ardhme të afërt. Ndërsa nga LSDM u shprehën të përmbajtur rreth vizitës së delegacionit të Maqedonisë në SHBA me arsyetim se nuk e dinë qëllimin e kësaj vizite.

“Unë nuk mendoj që me një vizitë apo me vizitat që bëhen brenda ditës të presim ndonjë zgjidhje apo kompromis, por të gjitha vizitat që bëhen në Bruksel dhe Nju Jork njëra nga temat është edhe çështja e zgjidhjes së emrit dhe shpresoj që në një të ardhme jo të largët të ketë një kompromis për një çështje kaq të rëndësishme jo veç për ne por edhe për rajonin në përgjithësi”, tha Ahmeti.
“Më lejoni që në këtë moment të përmbahemi nga komentimi duke pasur parasysh se nuk kemi informata se cila është arsyeja e vërtetë e vizitës të Gruevskit në Uashington. Shpresojmë se pasi të kthehet Gruevski do ta shpalos para opinionit arsyen për vizitën dhe rezultatet dhe atëherë do të kemi koment adekuat”, tha Vesna Bendevska, LSDM.

Takimi i një dite më parë i kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Guevski dhe ministrit të jashtëm Nikolla Popovski me ndërmjetësin Methju Nimic është vlerësuar si mjaft i dobishëm nga ana e palës maqedonase.
“Mendoj se me këtë frymë, me qasje të tillë nga të gjitha palët, zgjidhja është e pashmangshme në kuadër të asaj që paraqet prioritet për Republikën e Maqedonisë. Vlerësojmë se mundësi të këtilla janë mjaft të dobishme. Do të ishte mirë nëse kjo dinamikë ruhet dhe shpërblehet në periudhën e ardhshme dhe në këtë kontekst do të ishte shumë e dobishme nëse kjo mbështetet nga të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa gjithsesi se ndërmjetësuesi Methju Nimic ka hapësirë të mjaftueshme ta shpërblejë punën e vet dhe të mund të kontribuojë në arritjen e suksesit”, tha Poposki.

Mungesën e ministrave shqiptar në SHBA, BDI e arsyeton me agjendën e ngjeshur të aktiviteteve të shumta botërore dhe duke dashur që të jetë prezente në të gjitha ato si Samitin Botëror, mbledhja e OKB, Forumi ekonomik dhe të tjera.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni