Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi, priti sot në zyrën e tij, futbollistin e famshëm kosovar, Lorik Cana. Në takim ka qenë i pranishëm edhe babai i Lorik Canës, ish- futbollisti i shquar Agim Cana.

Ministri Krasniqi e përgëzoi futbollistin e kombëtares shqiptare, Lorik Canën, për sukseset që ka arritur deri tash, duke e quajtur atë si një nga ambasadorët më të mëdhenj të Kosovës. Ai tha se suksesi që ka arritur Cana i ka bërë krenar të gjithë qytetarët e Kosovës.

Me theks të veçantë, ministri në këtë takim ka folur për sfidat që ka sporti kosovar e në veçanti futbolli. Ai potencoi se ka shumë probleme por shtoi se, nga ai personalisht dhe të gjitha institucionet, po bëhen të gjitha përpjekjet që të ketë përmirësim të dukshëm. Ministri foli për investimet që janë duke u bërë dhe për planet në të ardhmen në këtë aspekt. Krasniqi duke e falënderuar Canën për kontributin që ka dhënë deri tash për Kosovën, si në sport dhe fusha tjera, kërkoi edhe një herë nga ai që ta shfrytëzojë ndikimin e tij, me qëllim të avancimit të sportit të Kosovës. Me këtë rast ministri i ofroi atij mbështetjen e plotë në mënyrë që sfidat të tejkalohen më lehtë dhe më shpejtë.

Nga ana tjetër, futbollisti shqiptar, që aktualisht luan në ekipin e famshëm turk Galatasaray, Lorik Cana falënderoi ministrin për pritjen dhe gatishmërinë e madhe të treguar për bashkëpunim. Cana foli për format në të cilat mund të koordinohen punët dhe premtoi se nuk do të ndalet së angazhuari, që më ndikimin e tij, të avancojë futbollin e Kosovës.

Përpos sportit, ministri Krasniqi dhe Cana kanë biseduar edhe për sfera tjera të zhvillimit në Kosovë, sidomos për trashëgiminë kulturore. Futbollisti Cana tha se e ka pasion historinë dhe shprehi gatishmërinë që të kontribuojë edhe në këtë drejtim.

SHPËRNDAJE