Refuzohet nga Reali i Madridit oferta prej 200 milion eurosh e Manchester City-t për të mbërritur te Cristiano Ronaldo. Ashtu sic bëjnë të ditur dhe mediat në Spanjë, drejtuesit madrilenë i kanë përplasur portën në fytyrë sheikut Mansour, i cili ëndërron të sjellë sërish në Manchester yllin portugez. Padroni i Manchester City-t ndër të tjera i ka garantuar futbollistit të Realit të Madridit një pagë prej 20 milion eurosh në sezon duke e bërë kështu Cristiano Ronaldon, lojtarin më të paguar në botë. Oferta faraonike është refuzuar nga vetë Florentino Perez nëpërmjet agjentit të CR7, Jorge Mendes. Sheikët e Manchester City-t kanë tentuar edhe më herët për të bindur Cristiano Ronaldon, por më parë me kosto pak më të ulët, pasi nuk shkuan më shumë se 180 milionë. Duket vërtet se sheikut Mansour, i është kthyer në një fiksim idea për të patur portugezin dhe duke patur parasysh dhe trishtimin e ditëve të fundit të Cristianos, tratativa nuk dukej e pamundur. Gjithsesi, cështja nuk ka marrë ende trajtë përfundimtare pasi Mansour dhe Perez do të takohen në Madrid me rastin e sfidës në Champions League, më 18 shtator.

Ky është një rast i artë që të dy të njihen më mirë dhe të hedhin ndoshta bazat e një tratative të mundshme, pasi për momentin përgjigjia definitive është jo. Një gjë është e sigurtë dhe duket qartë, të dy janë të blinduar nga kontratat me klubet respektive, megjithatë të paktën përsa i përket ofertave, Cristiano e ka fituar dukshëm betejën me rivalin e tij të përjetshëm Lionel Messi ndërsa në aspektin personal portugezi duhet të ndihet i përkëdhelur pasi një oferte e tillë duhet të shërbejë për ti ngritur sadopak moralin aspak të mirë të kohëve të fundit.

SHPËRNDAJE