Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar përsëri nga Vetëvendosje dhe AAK të bëjnë publike takimet me zyrtarët e Qeverisë së Serbisë.

“Kur akuzoni për takime me zyrtarë të Serbisë bëhuni edhe vet të përgjegjshëm edhe kur zyrtarët e juaj takohen me ministra të Qeverisë së Serbisë boni publike le ta dinë edhe elektorati juaj që edhe ju po takoheni të VV edhe Ardiani…”, ka thënë Thaçi.

Ka ardhur reagimi i Ardian Gjinit, i cili ka thënë se në takimin që po i referohet kryeministri ka qenë edhe Berat Buzhala.

“Mendoj se ajo që duhet thënë është se duhet me u taku edhe me u kërku takime… Por nuk ishim taku tinëz dhe po më duket se Berati mirë e ka kryer punën e ka informu kryeministrin. Ai ka qenë me mu.. Po flet për një konferencë edhe po akuzon e po them bukur Berat… E kisha nxit edhe kryeministrin me marr pjesë vet e mos me i dërgu veç këshilltarët. E keqja është me u taku tinëz, me u taku me përfaqësues të bizneseve me bo biznes tinëz”, ka reaguar Ardian Gjini i AAK’së.

Deputeti i PDK’së, Berat Buzhala ka konfirmuar se ka marrë pjesë në konferencën e ndërkombëtare, ku kanë qenë edhe zyrtarët serbë, por se nuk ka shkuar të darkojë me ministrat e Boris Tadicit ashtu “siç kanë bërë Shpend Ahmeti dhe Ardian Gjini”.

“Ndoshta kanë raportu 40 veta për këtë punë. Në darkën ku keni qenë ti dhe Shpendi unë s’kam qenë e ju keni qenë në darkë që s’di çka keni fol aty..”, ka reaguar Buzhala në fjalën e Ardian Gjinit të AAK’së.

Ndryshe, Kryeministri ka thënë se nuk është kundër takimeve zyrtare, derisa ka thënë se askush nuk duhet të quhet tradhtar se pse është takuar me dikë para kamerave.

“Takimet që ndodhin në takime ndërkombëtare për mua çdo komunikim dhe pretendim për të gjetur zgjidhje janë të mirëpritura. Por së paku le të jenë të hapura dhe transparente…”, ka shtuar Thaçi.

SHPËRNDAJE