Për një orë e gjysmë është ndërprerë gara për shkak të shiut të madh që ka rënë në Montreal të Kanadasë. Hamilton dhe Alonso patën një ditë të keqe.

Piloti i McLaren-it, Jenson Button, është fitues i Çmimit të Madh të Kanadasë, garë e cila është zhvilluar në Montreal. Një garë që gjatë do të mbahej mend, e cila ka qenë maratonike, për faktin se ishte ndërprerë për një orë e gjysmë për shkak se ka rënë shi i madh. Shiu ka vështirësuar së tepërmi shtegun dhe kësisoj gara është dashur të ndërpritet në rundin e 25-të, kur ishte duke udhëheqer piloti i Red Bull-it, Sebastian Vettel. Në rundin e tetë, Lewis Hamilton, pilot i McLaren-it, ka dalë prej gare, pasi është ndeshur me Jenson Button-in. Ndërkaq, Fernando Alonso, pilot i Ferrarit, në rundin e 38-të ka pasur një rrotullim, ndërsa nga pas e ka qëlluar Jenson Button i McLaren-it. Kjo goditje ka qenë fatale për Alonson, i cili është eliminuar nga garat.

Finishi ka qenë tejet dramatik, kur Jenson Button ka shfrytëzuar një rrëshqitje të Vettel-it në rundin e 70-të për të tejkaluar dhe thyer dominimin e tij. Ç’ është e vërteta fundi ka qenë tejet interesant, për faktin se në luftën për vendin e parë është futur edhe Michael Schumaher, por nuk arriti të bëjë më shumë, pasi Button ka treguar ngasje më të mirë.

Rezultatet

1. Button (McLaren Mercedes) 4:04.39.537

2. Vettel (Red Bull Renault) +2.709

3. Webber (Red Bull Renault) +13.828

4. Schumacher (Mercedes) +14.219

5. Petrov (Renault) +20.395

6. Massa (Ferrari) +33.225

7. Kobayashi (Sauber) +33.270

8. Alguersuari (STR Ferrari) +35.964

9. Barrichello (Williams-Cosworth) +45.117

10. Buemi (STR Ferrari) +47.056

SHPËRNDAJE