Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim zëvendëssekretarin e shtetit të SHBA-së, zotëri William Burns i shoqëruar nga zëvendësndihmëssekretari i shtetit, Philip Reeker dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell.
Zëvendëssekretari amerikan i shtetit, zotëri Burns, tha se SHBA-ja i jep mbështetje dhe përkrahje Kosovës në të gjitha proceset e saj. Ai tha se SHBA-ja është e interesuar për përparimin e gjithë rajonit të Ballkanit, përfshirë Kosovën, drejt integrimeve euroatlantike.

Zotëri Burns tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në skenën ndërkombëtare, rajonale dhe atë të brendshme dhe nuk do të inkurajojë asnjë hap që do të dëmtojë pavarësinë e Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e falënderoi zëvendëssekretarin amerikan te shtetit për mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në arritjen e lirisë dhe për përkrahjen e vazhdueshme për konsolidimin e shtetit. Presidentja Jahjaga tha se prania e vazhdueshme e SHBA-së në Kosovë është garantues i paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin.

Ajo tha se janë bërë hapa të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të arritur stabilitetin dhe theksoi se zbatimi i Planit Ahtisaari, që ofron të drejta të garantuara për komunitetin serb, është zgjidhja më e mirë për komunat në veri të Kosovës. Presidentja Jahjaga tha se ky plan nuk është zbatuar në tri komunat në veri të Kosovës për shkak të pengesave nga strukturat ilegale dhe rrjeti kriminal serb. Ajo tha se pengesë tjetër mbetet edhe ndërhyrja e vazhdueshme e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, tha se Serbia duhet të përmbushë obligimet e veta duke u angazhuar për një bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Ajo tha se nga dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë kanë dalë marrëveshje të cilat duhet të zbatohen. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka treguar vullnetin e saj për t’i zbatuar ato por tha se Serbia duhet të bëjë më shumë në zbatimin e tyre.

Presidentja Jahjaga tha se e mirëpret vullnetin e BE-së për të arritur përparim të mëtejmë në dialog por theksoi se me propozimet për diskutim në raundin e ri të dialogut duhet pasur parasysh që të mos cenohet shtetësia e Kosovës. Ajo tha se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë të angazhuara në dialog si dy subjekte të barabarta dhe të pavarura.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, tha se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë me të gjitha shtetet e tjera në rajon.

SHPËRNDAJE