Bunkerët e kthyer në hotele, Shqipëria po çudit botën

“Bunkerët në Shqipëri, të konvertuar në strehim për turistët”. Me këto fjalë nis një reportazh i botuar ditët e fundit në disa media prestigjioze ndërkombëtare, mes tyre edhe britanikja “The Guardian”, të cilat e kanë parë këtë dukuri, si mjaft të veçantë, në aspektin turistik të vendit tonë.

“Në shikim të parë, ta kalosh natën në një bunker të epokës komuniste nuk mund të tingëllojë si opsioni më i rehatshëm. Megjithatë, reliket e hidhura të së kaluarës së Shqipërisë, të ndërtuara në kohën e diktatorit Enver Hoxha,  janë duke u shndërruar tërheqje turistike”, citon më tej reportazhi.

Duke shtuar më tej, se jeta e re e këtyre objekteve simbol të së kaluarës komuniste të Shqipërisë, është një konvertim në çdo gjë, nga bujtina ku mund të flejë një turist, deri edhe në vende artistike.

Më tej, përmendet një strukturë e tillë, në rajonin verior të Shqipërisë, saktësisht në Lezhë, 44 kilometra larg kryeqytetit të Tiranës, e cila është transformuar në një hotel për turistët, si pjesë e një projekti nga studentët e arkitekturës.

“Bed & Bunker”, quhet ai duke dashur të largojë në këtë mënyrë nuancat negative të të tilla objekteve të trashëguara nga e kaluara komuniste dhe përshtatjen e tyre me të sotmen moderne.

Të përhapur si kërpudha, tashmë bunkerët shihen nga të huajt, si një objekt që simbolizon Shqipërinë në aspektin e saj jo vetëm historik, por edhe turistik.

Madje, rreth tyre tashmë është hapur edhe debati, nëse duhet që të shpëtohen apo jo dhe nëse kjo do të ndodhë, si mund të transformohen?

E duket se ideja për t’i kthyer ato në vend-strehime, këtë herë jo për luftë, por për turizëm, paraqitet mjaft atraktive.

“Për shumë, bunkerët prej betoni, pjellë e periudhës komuniste në shtetin buzë Adriatikut, janë një pjesë e trashëgimisë kulturore që nuk duhet humbur”, citon reportazhi në fjalë, transemton NoA


2 Komente

  1. blini, September 28, 2012:

    Kush e do nji bunker qe m’ka zane token qe m’ka takue me ligjin 7501. Ta bajne me rrota e t’ma heqin qafe prej ares. Asht n’Breg te Bunes. Vlen me xane edhe peshk e me gjue rosa…

  2. Arta, October 23, 2012:

    Shume idé e mire pse jo

Komentoni