Bullgaria zgjedh – presidente apo president?

Të dielën bullgarët zgjedhin një presindet të ri. Në raundin e parë vendoset se kush nga tre kandidatët kryesorë do të hyjë në raundin përfundimtar.
Gjashtë ish ministra kandidojnë për postin, ndër ta edhe një ish-komisionere e BE-së, një aktor dhe një politikan që ka çarë vetë. Në vështrim të parë duket një shoqëri personazhesh të famshëm. Por vetë fushata elektorale është pa përmbajtje dhe e varfër në ide, shprehen njëzëri vëzhguesit në Bullgari. Këtë përshtypje përcolli edhe dueli i fundit në televizion, në të cilin morën pjesë tre kandidatët me më shumë shanse dhe zëvendësit e tyre respektivë.

Fushatë pa përmbajtje thelbësore

Kandidatët kanë pak përmbajtje thelbësore për të ofruar, dhe një nga arsyet është që kreu i shtetit në Bullgari ka pak pushtet. Presidenti zgjidhet vërtet direkt nga populli, por funksionet e tij kanë vetëm natyrë reprezentative. Kjo kundërthënënie shkakton në mënyrë të përsëritur irritime: zgjedhësit mobilizohen, por kandidatët kanë pak përmbajtje për të ofruar.

Evropa, politika energjetike dhe infrastruktura – Kandidatët kërkojnë të profilizohen

Kështu diskutimi edhe këtë herë përqendrohet tek kompetencat e pakëta të presidentit si politika e jashtme, siguria dhe harmonia kombëtare. Ish komisionerja e BE-së Meglena Kuneva, e cila ka hyrë në garë si kandidate e pavarur, kërkon të fitojë pikë me temën “Evropa”:

“Në politikën evropiane duhet të garantojmë një gjë: Bullgaria nuk duhet të dalë nga binarët. Aktualisht po ndodh pikërisht kjo – në ekonomi, në fushën e shtetit ligjor, të drejtave civile, në arsim dhe në shëndetësi.”

Kuneva sulmon kështu drejtpërdrejt qeverinë aktuale të qendrës së djathtë me kryeministrin Boiko Borissov. Ai vazhdon të gëzojë besim të madh në popull, megjithëse bullgarët në sondazhin e fundit “Eurobarometër”, janë qytetarët më të pakënaqur evropianë. Dhe arsyet për këtë nuk u mungojnë: në BE bullgarët kanë standardin më të ulët të jetesës, korrupsioni dhe kriminaliteti janë në rritje, sistemi shëndetësor është në tokë. Të qenit sëmurë u kushton shumë bullgarëve, pasi mjetet financiare nga fondi shtetëror i sigurimit shëndetësor, nuk mbulojnë kostot reale të trajtimit mjekësor. Një ilaç i hidhur për njerëzit, që në kohën e komunizmit gëzonin përkujdesje shëndetësore falas.

Edhe koezioni social është vënë aktualisht në sprovë nga tensionet etnike: kryesisht bëhet fjalë për konflikte me pakicën rome. Rasti më i ri ishin trazirat e dhunshme kundër romëve në muajin shtator, të cilat ishin nxitur nga populistët e djathtë. Për shumë zgjedhës ka arsye të mjaftueshme për një ndryshim në politikë. Edhe kandidati i dytë në garë, socialisti Ivailo Kalfin, përpiqet të dobësojë me kritikë ndaj qeverisë kandidatin e tretë, që vjen nga partia në pushtet.

Kalfin përpiqet të profilizohet në politikën energjetike dhe propozon një referendum kundër planeve për nxjerrjen e gazit shiste:

“Provat për nxjerrjen e këtij gazi mund të shkatërrojnë shumë sipërfaqe pjellore të vendit. Ato janë gjithashtu të dëmshme për shëndetin e miliona bullgarëve.”

Kandidatë me profil të ngjashëm

Ivailo Kalfin ka qenë ministër i jashtëm dhe aktualisht është deputet për socialistët në Parlamentin Evropian. Kështu të tre kandidatët për president kanë një profil të ngjashëm: ata janë të gjithë ish ministra, pro-evropianë dhe kërkojnë konsensus. Në sondazhe kryeson kandidati i partisë qeverisëse Rossen Plevneliev, deri para pak kohësh ministër për Zhvillimin Rajonal në kabinetin e Borisovit.

Plevneliev ka një karrierë të suksesshme biznesi, edhe në Gjermani. Ai konsiderohet specialist për infrastrukturën dhe këtë e ka bërë të qartë edhe në fushatën elektorale:

“Qeveria bullgare dhe unë si president do të shqyrtojmë me kujdes sektorin e turizmit, pasi ai ofron një potencial tejet të madh. Të gjitha degët e turizmit mund të aplikohen me rentabilitet në Bullgari.”

Por për disa vëzhgues Rossen Plevneliev është vetëm një marionetë e kryeministrit Borisov. Është versioni bullgar i tandemit Putin – Medvedev, thuhet me shpoti në Sofje. Në raundin e parë të zgjedhjeve të dielën (23.10.) nuk pritet që ndonjë nga kandidatët të arrijë shumicën e nevojshme absolute. Pra pyetja tani është: kush do të jetë sfiduesi i Plevnievit në balotazh në 30 tetor – Meglena Kuneva apo Ivailo Kalfin? (dw)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni