Shkruan : Metali KRASNIQI

     Që nga Lufta e Trojës thuhej „Mos u beso grekëve edhe kur sjellin dhurata“, apo mbase kësaj radhe si dhuratë do të merret “Kali i Trojës”, le të kuptohet se kush fitoi pastaj.

 

Thellimi i divergjencave mes pozitës dhe opozitës shqiptare në komunën e Bujanocit, ndonëse datojnë që moti, tashmë gjenden para sfidave të reja dhe katandisjeve politike, e veçmas pas involvimit të Beogradit zyrtar në skenarët për krizë në pushtetin lokal të Bujanocit

 

BUJANOCI DICKA PO SHKON MBRAPSHT: Zigzaget politike – Thellohen divergjencat mes pozitës dhe opozitës në Bujanc

 

Thellimi i divergjencave mes pozitës dhe opozitës shqiptare në komunën e Bujanocit, ndonëse datojnë që moti, tashmë gjenden para sfidave të reja dhe katandisjeve politike, e veçmas pas involvimit të Beogradit zyrtar në skenarët për krizë në pushtetin lokal të Bujanocit.

Ky “tërmet politik” ndodhi pas vizitës që i bëri rajonit të këtushëm, kryeministri serb, njëherësh dhe kryetar i SPS-së, Ivica Daçiq, në Vranjë, pas një deklarate të dhënë që, sipas tij, Partia për Veprim Demokratik, e Riza Halimit, duhet të jetë pjesë e koalicionit qeverisës në Bujanoc, me ç`rast ka trazuar elektoratin dhe ka luhatur koalicion shqiptaro-serb, në Bujanoc.

Opozita ka alarmuar opinionin se së shpejti qeverisja lokale në Buajnoc, do të shpartallohet. Këto zëra kanë ngritur shqetësimin te koalicioni qeverisës multi-etnik, i cili ka ftuar kryetarin e Komunës Nagip Arifi, për ta ndërprerë vizitën zyrtare në Turqi.

Në një takim të djeshëm, të partnerëve të koalicionit, del se përpjekjet e opozitës për ta prishur këtë qeverisje lokale janë vetëm një manovër politike.

Vetë pozita nga ky takim ka deklaruar për mediumet lokale se koalicioni është stabil dhe i paluhatshëm, ndërsa përpjekjet e opozitës i ka vlerësuar të dështuara.

Si do që të jetë qytetarët e Komunës së Bujanocit, që nga konstituimi i parlamentit lokal, gati një qind ditësh, e deri sot përballen me ethet e zënkave të pozitës dhe opozitës për pushtet, duke lënë mënjanë problemet e tjera ekzistenciale, të cilat për ditë u trokasin në derë.

Elektorati shqiptar i Komunës së Bujanocit, gjatë zgjedhjeve të 6 majit, ka treguar një pjekuri të lartë politike dhe një masivitet të daljes në votime, andaj nuk dëshiron që vota e tyre të keqpërdoret për qëllime të thjeshta politike, duke luftuar njëri-tjetrin për funksione e interesa partiake e personale, e duke i lënë anash problemet e qytetarëve.

Nëse thuhet se Komuna është shtëpi e përbashkët e qytetarëve, atëherë pse subjektet politike shqiptare, me kohë nuk treguan unitet dhe bashkëpunim, për të qenë të gjithë në pozitë, ashtu siç vepruan vite me radhë, po u ndanë në dy taborre  për të kërkuar ndihmën e serbëve për t’i realizuar qëllimet  e tyre partiake e lokaliste.

Zërat se koalicioni qeverisës në komunën e Bujanocit është shpërbërë dhe se pritet një koalicion i ri, nuk janë aspak të vërteta, këtë e konfirmuan sot përfaqësuesit e koalicionit qeverisës.

 

Përmes një apeli apo kërkesë të tillë ish-luftëtarët e UÇPMB-së i drejtohen edhe Lëvizjes së Progresit Demokratik, e dalë nga strukturat udhëheqëse të ish-UÇPMB-së, ku sipas tyre, kryetari i së cilës ka qenë shef politik i kësaj ushtrie çlirimtare, të distancohet nga politika diskriminuese e PVD-PSS, të cilat shpesh thirren se kanë për krah këtë subjekt politik dhe ish-ushtarët e UÇPMB-së.

“LPD si trashëguese e idealeve të UÇPMB-së nuk guxon t’i bëhet çadër një subjekti PVD-së dhe Këshillit Nacional jo-legjitim, i cili haptas po bashkëpunon me Ivica Daçiqin dhe partinë e tij, PSS për ta destabilizuar situatën në Kosovën Lindore dhe për t’i bllokuar proceset demokratike në rajon”, thuhet në apelin e UÇPMB-së.

“Ne ish-luftëtarët e UÇPMB-së, apelojmë te faktorët shqiptarë në përgjithësi dhe te ndërkombëtarët, që të bëjnë trysni te Beogradi, që t’mos luaj me ndjenjat tona dhe vullnetin tonë të shprehur me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, për bashkim me Kosovën, pastaj me luftën dhe Marrëveshjen e Paqësore të Konculit: thuhet në apelin e ish-luftëtarët e UÇPMB-së, duke shtuar se “nëse kështu vazhdon Beogradi me ne, shumë shpejt Kosova Lindore, do të destabilizohet e më këtë do të bllokohen proceset e dialogimit Prishtinë-Beograd, si dhe do të kthehen prapa të gjitha proceset për stabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë edhe ashtu të brishtë në Luginën e Preshevës”.

 

Derisa prefekti i Bujanocit, Nagip Arifi, njëherësh dhe kryetar i partisë Demokratike, iniciativën e fundit të opozitës përmes takimeve të fshehta në Vranjë me subjekte politike serbe, për ta shpartalluar pushtetin lokal të Bujanocit e sheh të dështuar, ndërkohë që sipas tij, koalicioni qeverisës edhe më tej mbetet stabil dhe i paluhatshëm, burimet brenga kryesisë së Partisë për Veprim Demokratik, dhënë të dielën, për agjencinë “Presheva Jone”, theksuan: “Ne nuk mund në këtë moment të deklarojmë asgjë rreth akuzave të lansuara nga pushteti. Nëse ata e kanë koalicionin e sigurt, siç po deklarojnë, pse po e shqetësojnë veten dhe opinionin. E lodhën opinionin duke i treguar se e kanë koalicionin e fortë. Përse këto shqetësime atëherë”, pyet përfaqësuesi i lartë i PVD-së.

Edhe Jonuz Musliu, lideri i Lëvizjes së Progresit Demokratik, duke folur për gjendjen momentale politike të krijuar në komunën e Bujanocit, theksoi: ”Koalicioni qeverisës multietnik në Komunën e Bujanocit, nuk është i qëndrueshëm, sa do që pozita deklarohet se është stabile e i paluhatshëm. Po të ishte i tillë, nga atëherë, ai, shqetësim i partnerëve të koalicionit, të cilët pas çdo opinioni, qoftë dhe anonim, i shqetësojnë qytetarët me konferenca e takime për kinse stabilitet, efikasitet dhe partneritet”, tha për agjencinë informative kombëtare  “Presheva Jonë”

Musliu, në vijim shtoi se “opozita shqiptare, nuk do të pajtohet me veprimet që bën ky koalicion qeverisës, i cili në vend që të punoj për të mirën e qytetarëve, ai, po shantazhon, shpif dhe inskenon afera kundër kuadrove të opozitës”.

“Gafat e pozitës, në këto gati 100 ditë, të qeverisjes lokale janë aq të mëdha, saqë nuk i garantojnë ndonjë udhëheqje të qëndrueshme, të drejtë dhe afatgjate”, theksoi mes tjerash Musliu, në deklaratën e tij dhënë portalit “Presheva Jone”.

Edhe ish-luftëtarët e UÇPMB-së, përmes një apeli drejtuar spektrit politik shqiptar, të shtunën, thuhet “Kërkojmë nga faktorët politikë shqiptarë, të jenë të kujdesshëm ndaj veprimeve të dëmshme dhe të rrezikshme të Riza Halimit dhe Ivica Daciqit, të cilët jo vetëm që burgosin shqiptarët, por këto ditë po përgatisin Referendumin për deklarimin e Serbisë se a është për Kosovën apo Serbinë, si dhe kanë lansuar opsionin për ndarjen e veriut të Kosovës, thuhet në komunikatën”.

 

Edhe Prishtina zyrtare është në dijeni se dy blloqet e këtushme shqiptare po vazhdojnë të bisedojnë fshehurazi me subjektet serbe. Njëra palë për të rrëzuar pushtetin, kurse tjetra për të siguruar pozitën qeverisëse. Kjo është absurde. Nga 30 mandate të vihet në një situatë të tillë është e papranueshme, kanë thënë përfaqësuesit e Prishtinës zyrtare, duke u zotuar se me gjithë situatën delikate që po mbizotëron në atë rajon, qarqet qeveritare kosovare ditëve në vijim do t’i përkushtohen Bujanocit.

Qeverisja lokale në Bujanoc është e përbërë nga 22 këshilltarë nga gjithsej 41 sa ka asambleja komunale. Partia Demokratike e Nagip Arifit ka 12 këshilltarë, grupi i qytetarëve “Stojança Arsiq” ka 5 këshilltarë, koalicioni “Koalicion për Bujanoc më të mirë” ka 4 këshilltarë dhe një nga PDSH-ja.
Ndërkaq, në opozitë janë PVD e Riza Halimit me 8 këshilltarë, LPD e Jonuz Musliu  ka 6 këshilltarë dhe UDSH ka tre këshilltarë, si dhe dy këshilltarë ka SNS që po bisedon për hyrje në qeverisje lokale.

Ndaj është e palogjikshme që subjektet shqiptare, përkundër numrit rekord të mandateve prej 30 sosh të fituara në Asamblenë Komunale nga  zgjedhjet e fundit të lejojnë që fati i tyre të varet nga dikush tjetër.

Këshilla filozofike trojane (në stilin e një aforizmi) që daton që nga Lufta e Trojës „Mos u beso grekëve edhe kur sjellin dhurata“, apo mbase kësaj radhe si dhuratë do të merret “Kali i Trojës”, le të kuptohet se kush fitoi pastaj.

SHPËRNDAJE