Portieri i kombëtares së Italisë, Xhanluixhi Bufon ka shprehur falënderime për spanjollët, për ndershmërinë e treguar, duke mos hyrë në ‘pazar’ me kroatët për një barazim 2:2, i cili do t’i linte italianët jashtë çerekfinales.
“Nuk isha i ngarkuar me asgjë tjetër përveç ndeshjes tonë, ngase kam qenë i bindur se spanjollët do t’i gëzohen fitores, prandaj më duhet t’i falënderoj për këtë sepse na mundësuan të kualifikohemi tutje”, ka theksuar Bufon. “Gardiani” i portës italiane është shprehur i lumtur që golat në fitoren kundër Irlandës i shënuan dy sulmuesit, Antonio Kasano e Mario Balotelli dhe beson se Italia mund t’i shkojë deri në fund rrugës së këtij Evropiani. “Objektivin e parë e realizuam. Më gëzon fakti që golat në këtë ndeshje i shënuan pikërisht Kasano e Balotelli, ngase më në fund paraqitjet e tyre të mira i kurorëzuan me gola. Mendoj se kjo është një shenjë e mirë për ecurinë e mëtejshme të kampionatit. Besoj se mund t’i shkojmë deri në fund këtij Evropiani”, ka nënvizuar Bufon.

SHPËRNDAJE