Institucionet e Republikës së Bregut të Fildishtë kanë lëshuar mbrëmë Notën Verbale të njohjes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke e bërë kështu formale njohjen e 84 për shtetin e pavarur të Kosovës.

“Vendimi për Njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran i është konfirmuar zv.Kryeministrit të parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, me 20 shtator në New York, gjatë një takimi me Presidentin e Bregut të Fildishtë, shkëlqesinë e tij, z. Alassane Ouattara”, thuhet në një njoftim të zyrës së Pacollit.

Sipas këtij njoftimi, zv/kryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, në kuadër të angazhimeve institucionale për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin pavarur të Kosovës, ka vizituar 3 herë Bregun e Fildishtë, ku pati takuar përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, Presidentin e këtij vendi, Alassane Ouattara.

“Koha e procedimit të Notës Verbale nga Bregu i Fildishtë, kishte nxitur reagimin e skeptikëve në Kosovë edhe pse kjo formë e njohjes nuk është praktikë diplomatike e Bregut të Fildishtë. Institucionet dhe Populli i Bregut të Fildishtë e kanë konsideruar njohjen e Kosovës si vendim zyrtarë, prej momentit kur Presidenti i tyre kishte deklaruar një vendim të tillë. Nota Verbale e njohjes së Republikës së Kosovës nga Republika e Bregut të Fildishtë erdhi pas kontakteve të fundit që zv.Kryeministri, z. Pacolli kishte me përfaqësuesit e këtij vendi, duke krijuar kështu të gjitha mundësitë për vendosjen sa më të shpejtë të marrëdhënieve të mira ekonomike e diplomatike me Republikën e Bregut të Fildishtë”, thuhet më tej në njoftim.

SHPËRNDAJE