Në libraritë e Tiranës, ndër librat më të kërkuar qëndron libri i Blendi Fevziut “Biografia për Enver Hoxhën”, si dhe libri i Helena Kadaresë dhe romani “Shqipëria” i Ben Blushit. Interesi më i madh në libraritë e kryeqytetit për botimet e reja sipas librashitësve ka qenë për libra politikë, kryesisht ato që kanë një subjekt të fortë.

http://www.botasot.info/img/librari_63.jpgShtëpitë botuese kanë propozuar edhe botime të tjera për lexuesit kryeqytetas. Në vitrinën e librave të rinj mund të veçojmë librin e Nasho Jorgaqit, i cili përmban një buqetë kujtimesh për Migjenin me titullin “Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve”. Ky është libri më i fundit dedikuar shkrimtarit të shquar shqiptar të madhit Migjen, si homazh për 100-vjetorin e lindjes së tij.

Ndërsa nga letërsia greke, vjen romani “Dashuri që lag si shi”, një roman që trajton një histori interesante dashurie dhe që ka shënuar një rekord shitjesh në Greqi.

Autori Nossrat Pesschkian ka përmbledhur histori dhe thënie të mençura në librin “nëse dëshiron diçka që nuk e ke pasur kurrë, bëj diçka që nuk e ke bërë kurrë”.

Nga autori italian Fabio Volo, vjen romani “Koha që do të doja”. Ky është një libër i vlerësuar nga kritika si vepër e sinqertë dhe ku secili mund të gjejë veten.

SHPËRNDAJE