“Bota sot” 6000 mijë numra! Gazeta me 6000 numra përmbushi mendjet dhe vetëdijen tuaj, duke larguar nga ju boshllëkun dhe mungesën e informacionit, ua ktheu dritën dhe shikimin në atë gjysmerrësirë dhe gjysmë rruge të komunikimit ndërshqiptarë. Ajo ia doli ta bënte këtë duke koduar gjithë atë informacion dhe jetë shqiptare dhe njerëzore që ekzistonte në këto 17 vite, dhe njëkohësisht duke dekoduar gjithë ato politika dhe sisteme gjatë gjithë kësaj kohe.
Nuk ishte e lehtë të brumosje një mendësi të re, në kohën që shqiptarët ishin mësuar që në shqip, të merrnin gjërat vetëm në atë mënyrë se si i shihte një politike zyrtare, kryesisht moniste. Dhe nuk ishte e lehtë të ndryshonin proceset. Në njërën anë botëkuptimet e kufizuara politike, në anën tjetër një sistem komunikimi i trashëguar nga komunizmi, ishin rrugët e vështira të frymëmarrjes së një shtypi të lirë dhe të pavarur. Shqiptarët në Perëndim kishin ndërtuar një degë komunikimi, nëpërmjet vazhdimit të botimit të gazetës “Rilindja”. Por, bashkë me këtë hap pozitiv të kohës, ky zhvillim i ri medial për botën shqiptare, ndërsa po hapte një shteg të ri, por transmetonte edhe një përvojë të së kaluarës, një frymëzënie jo të lehtë në raport me shfaqjen e qëndrimeve, pikëpamjeve dhe bindjeve të lira, të cilat mund të binin ndesh me qëndrimet e ngushta zyrtare dhe ato partiake. Këto lëkundje dhe dridhje do të përcilleshin më vonë në kohën e bashkëjetesës për disa vite, të dy gazetave shqipe, sidomos në Zvicër. Më në fund beteja do të fitohej nga përpjekjet për një shtyp të lirë dhe të pandikuar nga politika zyrtare, dhe veçanërisht nga arritja e përçimit të frymës së gjallë të jetës politike shqiptare. Fundi i viteve të ’90-ta po shkonte drejt përshpejtimit të proceseve, kthinat do të rrënoheshin, prapaskenave po u vinte fundi dhe ndërskamcat nuk kishin më mundësi të viheshin. Po fillonte gumëzhitja e lirisë, por para saj qëndronte rruga përplot rreziqe, sakrifica të reja kërkoheshin, dhe nga të menduarit hapi i ardhshëm ishte ai militant. Vendi po shkonte pa shmangshëm drejt luftës, angazhimi për ta fituar luftën dhe inkurajuar luftëtarët ishte hapi i ri i ardhshëm. Qëndrimet ishin të qarta, atdheu kërkonte sakrificën e jetës për të mbrojtur të tanishmen dhe të ardhshmen. Gazeta zgjodhi të qëndronte përkrah këtyre zhvillimeve duke ruajtur trungun, themelet e shtetit dhe inkurajimin e rritjes së fuqisë goditëse ndaj armikut, duke arritur kështu një prani në betejë, nëpërmjet shtytjes dhe dinamizmit të proceseve pa cenuar unitetin shqiptarë.
Këtë unitet do të vazhdojë për një kohë shumë të gjatë ta kërkojë, edhe pas luftës. Duke qenë se kishte qenë përkrah proceseve themelore, gazeta nuk mund të pranonte ndryshimin e realitetit, që e kishte përcjellë vetë luftën. Nuk mund të pranonte për heronj, ata që ishin antiheronj thuaja gjatë gjithë kohës së luftës dhe organizimit të saj apo ishin kthyer në pengesë proceseve. Nuk mund të pranonte ndryshimin e historisë dhe të mos dëshmonte të keqen, që po e gjente vendin. Për shumë vjet gazeta vazhdoi të sfidohet dhe herë herë edhe në kohët e sotme, nga ata që nuk mund të pajtoheshin që politikat redaksionale nuk ju ishin nënshtruar shijes dhe interesit të tyre. Për më tepër kishte edhe analistë, të cilët pas luftës e bllasfemonin gazetën duke menduar se ata ishin në rrugën e drejt, por sot, tashmë disa vjet, ata janë bërë po aq kritik, e mbase edhe më tepër seç ishte “Bota sot”, duke bllasfemuar Kryeministrin Thaçi dhe rrethin e tij. Bllasfemuesit janë kthyer në militant të qëndrimeve të hershme të “Bota sot”, duke u bërë kështu përgënjeshtrues të vetvetes dhe dëshmitarë të gazetës sonë!

SHPËRNDAJE