Boksieri kosovar Haxhi (Robin) Krasniqi ka fituar të shtunën mbrëma në Berlin titullin WBO International në kategorinë gjysmë të rëndë të boksit profesionist, njofton NOA

 

Prishtinë, 26 gusht

Krasniqi 25-vjeçar dërrmoi tërësisht kundërshtarin e tij, turkun Serdar Sahin, duke e mbyllur luftën me nokaut në raundin e katërt, raporton. Për Krasniqin ky është titulli i dytë me rëndësi i fituar në karrierën në boksin profesionist. Ai më herët kishte fituar edhe titullin WBO Europe të cilin e lëshoi për të sfiduar tituj më të mëdhenj.

Krasniqi që nga fillimi i meçit dominoi tërësisht, ndërsa dhjetë sekonda para përfundimit të raundit të parë e rrëzoi turkun me një goditje aperkat. Dominimin Krasniqi e vazhdoi edhe në raundet vijuese, të cilat i mbylli në favor të vetin. Në raundin e katërt Krasniqi nisi furishëm dhe pas një serie prej katër goditjeve ai e rrëzoi për herë të dytë në tokë turkun Sahin, ndërsa gjyqtari Frank Michael Maass, vendosi të mbyllë luftën.

“Unë iu falënderoj të gjithëve për përkrahjen. Ky është edhe një hap tjetër drejt arritjes te lufta për titull të botës”, ka thënë Krasniqi.

Për Krasniqin ishte fitorja e 38-të (14 KO) në boksin profesionist, karshi dy humbjeve.

Sahin 30-vjeçar është mposhtur për herë të parë në karrierën si profesionist. Ai në meç ishte futur me bilanc prej 20 fitoreve nga po aq duele, 13 prej tyre me nokaut.

Përballja mes Krasniqit e Sahinit, ishte parameç i duelit për titull të botës në kategorinë WBO në peshën super të mesme mes Robert Stieglitzit e Arthur Abrahamit.

Krasniqi me këtë fitore ia ka hapur rrugën vetes që të sfidojë titullin e botës në versionin WBO, pronar i të cilit është boksieri britanik Nathan Cleverly.

Krasniqi më 28 prill të këtij viti ishte paraparë të sfidonte Cleverlyn për titullin WBO, por ky duel u anulua nga boksieri britanik për shkak të një sëmundje. Ishte pranë të arrihej marrëveshja edhe dy muaj më vonë, por dështoi në çastet e fundit.

Krasniqi është pjesë e kompanisë së njohur gjermane të boksit SES Boxing. Ai aktualisht zë pozitën e pestë në renditjen botërore të versionit WBO.

SHPËRNDAJE