Bllokada e Barçës në merkato, distancohet Reali

largea_52941396604182Ashtu si në çështjen e kontratës së Neymar, te Barcelona janë të bindur se është një dorë e zezë, që tenton herë pas here të godasë klubin blaugrana me dyshimet e forta që kanë si shënjestër Realin e Madridit dhe numrin një të tyre, presidentin Florentino Perez. Për të shuar çdo dyshim foli zëvendëspresidenti i Los Blancos, që është njëkohësisht edhe anëtar në Komisionin e Statutit të Lojtarëve në FIFA, Pedro Lopez Jimenez, i cili tha se as Reali dhe as ai vetë si anëtar i qeverisë botërore të futbollit nuk kanë lidhje me hetimet që sollën bllokadën në merkaton e Barçës.

Në një intervistë për të përditshmen AS në Spanjë, zyrtari i lartë i Realit, një nga njerëzit më të besuar të presidentit Perez, deklaroi më tej se komisioni ku ai bën pjesë nuk ka të drejtë për të vendosur sanksione, pasi këtë përgjegjësi e ka ekskluzivisht Komisioni i Disiplinës. “Kam marrë pjesë në dy takime ku është diskutuar për t’i dhënë nota ekselence Barcelonës për akademitë e të rinjve, përfshirë këtu edhe La Masian dhe në të dyja rastet kam votuar në favor”, u shpreh Pedro Lopez, teksa sqaroi më tej se për mbrojtjen e futbollistëve minorenë zakonisht janë vetë klubet e mëdha që bashkëpunojnë, por për fat të keq FIFA është mjaft e shqetësuar për rastet e Barçës që mori nën hetim. Në fund zëvendëspresidenti i Realit bëri thirrje që të ketë analiza dhe reflektim për të diferencuar njërin rast nga tjetri, kur bëhet fjalë për futbollistët e moshës nën 18 vjeç.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni