Metamorfoza e Partisë Demokratike, diçka e thënë ndër vite nga shumë ish figura të kësaj partie, është kthyer sërish në ditët tona pas denoncimit përmes një libri të Blerim Çelës, një ndër eksponentët e saj këto dy dekada.

Libri që titullohet “Deformimi i Partisë Demokratike”, pritet të çelë një tjetër debat për funksionimin e brendshëm të saj, duke u ndaluar veçanërisht tek kryetari i saj Sali Berisha.

“Ka një vit që nuk mblidhet këshilli kombëtar i PD-së, i cili është pa kryesi, pa nënkryetar, pa sekretar dhe Berisha nuk shqetësohet sepse ai është partia, ai vendos, ai vulos, ai të ngre, ai të ulë, ai është pronari, ai është padroni. Na e punoi në kongresin e dytë të parties, ku nga dy mandate që ishte në statusin e PD-së kur ajo u themelua, që të zgjidhej kryetari i partisë, e bëri që kryetari të jetë i përjetshëm. Kongresi i 15 dhjetorit 2009 ishte kongresi i turpit me votimet ku u prenë shumë koka që ishin shtylla të demokracisë”, është shprehur Çela.

Ai tregon në këtë libër me fakte dhe dokumente metamorfozën e Partisë Demokratike në këto 20 vite. Historikun e përjashtimit të shumë prej figurave të njohura, por edhe historikun e votimeve të manipuluara brenda strukturave të PD-së. (TCH,PrJ)

SHPËRNDAJE