134-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, Berisha: Faleminderit Kosovë

Lidhja e Prizrenit shënon sot 134-vjetorin e krijimit të saj. Festimet për këtë rast janë zhvilluar në ndërtesën ku dhe u mbajt Lidhja e Prizrenit, 134 vite më parë marrin pjesë dy kryeministra, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi, zv. kryeministri i parë Behxhet Pacolli si dhe kreu i PDI-së në Maqedoni Ali Ahmeti.
Festimet në kujtim të 134- vjetorit të “Lidhjes së Prizrenit” ka nisur me ekzekutimin e himnit tonë kombëtar dhe atij shtetërorë të Kosovës. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se Lidhja është ngjarja në të cilën shqiptarët që jetonin dhe shtriheshin në territoret më të gjëra të Ballkanit, që kishin qenë të sulmuar do të mblidheshin në këtë tempull me sloganin “Një komb një qëndrim.”

“Çdo shqiptarë ka vetëm një fjalë, faleminderit Kosovë, faleminderit Prizren, se Lidhja e Prizrenit ishte kryengjarja që do tu printe përpjekjeve shqiptare për liri dhe dinjitet. Faleminderit Kosovë, se në Kosovë u organizua Lidhja e Pejës, se këtu lindi Ushtria Çlirimtare. Këtu u organizua kryengritjet e mëdha gjigante që solli pavarësinë e Shqipërisë. Faleminderit Kosovë që nuk u përkule kurrë dhe qëndrove në një rezistencë që solli Pavarësinë. Faleminderit Kosovë se nxore burra të mëdhenj, si Sulejman Vokshi, Mic Sokoli, luftëtarë të mëdhenj, etj. Faleminderit Kosovë se nxore burra mendjendritur si Ibrahim Rugova, i cili organizoi rezistencën paqësore më të shkëlqyer që Europa ka njohur. Faleminderit Kosovë se djemtë dhe vajzat e tua vaditën me jetën, rininë dhe gjakun e tyre lirinë mbi të cilën qëndrojmë ne sot të lirë” theksoi Berisha.

Sipas kryeministrit, në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Lidhja e Prizrentit përbën mrekullinë ndoshta më të madhe shqiptare të të gjitha kohërave. “Lidhja e Prizrenit shënon ngjarjen më kulmore pas luftrave të Skenderbeut në historinë e kombit tonë. Shqiptarët që kishin qënë objekt sulmesh, barbarish, do të blidheshin në këtë tempull dhe do të zgjonin idealin e bashkimit kombëtar. Kohërat në të cilën udhëheqësit e të gjitha trevave u mblodhën në këtë tempull, ishin orët më të vështira të kombit shqiptar pasi Europa ndodhej në orët e padretësive të saj pasi po vendoste eleminimin e shqiptarëve si opsion politik, coptëimin e kombit” theksoi Berisha.
Kryeministri përsëriti edhe njëherë ftesën e tij për fqinjët që të çlirohen nga paragjykimet për shqiptarët, duke i ftuar ata që së bashku të ndërtojmë një të ardhme europiane. “I ftoj fqinjët tanë të çlirohen nga paragjykimet për shqiptarët. Të përpiqmi të ndërtojmë atë të ardhme të cilën kërkojnë popujt tanë, të ardhem europiane si të ardhmen më e shkëlqyer e të gjithë banorëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë në gadishullin tonë” shtoi Berisha.

Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se Lidhja e Prizrenit me përfaqësuesit e të gjitha viseve shqiptare është organizata më e rëndësishme politike e asaj periudhe. Ai vlerësoi se rilindësit shqiptarë me idealizëm të rrallë vunë themelet e ndërgjegjes kombëtare.

Kryeministri i vendit, më tej tha se Kosova me gjithë fatin tragjik, e mbetur jashtë shtetit shqiptarë, vazhdoi me idealizëm përpjekjet për çlirim.

Thaçi theksoi se pavarësia e Kosovës në shek. XXI e korrigjoi padrejtësinë historike ndaj shqiptarëve. “Pavarësia e Kosovës i dha kuptim edhe Lidhjes së Prizrenit, Pavarësisë së Shqipërisë, e forcoi kombin shqiptarë”, tha Thaçi, duke shtuar se shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur pozicion më të mirë dhe janë faktor vendimtar në rajon.

Më 10 qershor shënohet një nga datat më të rëndësishme të historisë shqiptare kombëtare, mbajtja e kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më 10 qershor 1878, mbi 300 përfaqësues nga gati të gjitha viset shqiptare, në Prizrenin historik, artikuluan kërkesat legjitime për pavarësi të shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre etnike.

Kjo lidhje, paraqet bashkimin më të rëndësishëm të shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut, meqë të gjithë shqiptarët u bënë bashkë në kërkesat e tyre kombëtare. Kjo lidhje, i parapriu edhe aktit të ardhshëm madhor, shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, më 28 nëntor 1912.

Akademi me rastin e 134 Vjetorit të Lidhjes së Prizrenit

Në Prizren është mbajtur Akademi solemne me rastin e 134 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, në të cilën morën pjesë zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e para organizatë politike mbarëshqiptare, mbush sot (10 qershor), 134 vjet nga formimi i saj (1878).

Lidhja e Prizrenit njihet si datë me rëndësi te shqiptarët, por këtë vit duket të ketë një mobilizim më të madh për manifestime se sa viteve të tjera, për shkak të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Me ketë rast janë paraparë aktivitete të shumta për sot në Prizren, ku do të marrin pjesë zyrtarë të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës.

Nga këndvështrimi historik, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 – 1881) zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në Kuvendin Shqiptar të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878.

SHPËRNDAJE