Berisha vizitë në SHBA, do takohet me Clinton

Kryeministri Sali Berisha i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të nisë sot axhendën e takimeve. Gjatë vizitës së tij në SHBA do të zhvillojë takime të nivelit të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Kongres në Washington DC, si dhe takime e aktivitete në New York.

Kryeministri Berisha do të zhvillojë të mërkurën, një takim, me Sekretaren e Shtetit zonjën Hillary Clinton, në përfundim të të cilit, Sekretarja e Shtetit Clinton dhe Kryeministri Berisha do të dalin në një konferencë të përbashkët për median.

Kryeministri do të takohet me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është dhe njëkohësisht kreu i Kongresit të SHBA, zotin John Boehner.

Gjithashtu, Kryeministri do të ketë në Washington DC, takime me personalitete të tjera si senatorja Jeanne Shaheen, Kryetare e Nënkomitetit për Çështjet Europiane, zoti Richard Morningstar, i Dërguari i Posaçëm i Sekretares së Shtetit për Energjinë në Euroazi, etj..

Gjatë qëndrimit në SHBA, Kryeministri Berisha është i ftuar në ceremoninë e prezantimit të filmit dokumentar “Besa”, me producente Johanna Neumann, në Holocaust Memorial Museum, në Washington. Dokumentari i Neumann sjell historinë e jashtëzakonshme të mikpritjes, strehimit dhe mbrojtjes së një familjeje hebreje në Shqipëri dhe përmes saj, historinë e një kombi që hapi dyert e shpëtoi nga shfarosja qindra familjeje hebreje, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kryeministri Berisha do t`i drejtohet audiencës me një fjalë, si dhe do t`i akordojë zonjës Neumann çmimin e mirënjohjes.

Një moment të veçantë në axhendën e Kryeministrit është pjesëmarrja si i ftuar nderi në kremtimin e 100 vjetorit të themelimit të Federatës “VATRA”, në New York. Me këtë rast, do të zhvillohet konferenca shkencore “Federata Pan-shqiptare e Amerikës “VATRA, 100 Vjet në shërbim të kombit”, ku do të mbajnë kumtesa studiues e akademikë shqiptarë. Kryeministri Berisha do t`i drejtohet Konferencës me një fjalë.
Kryeministri Berisha, gjatë qëndrimit në Washington DC, do të vizitojë shtëpinë muze të Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetësit të madh të pavarësisë së Shqipërisë, Woodrow Wilson.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni