Berisha: Topi dhe Ina Rama, nën hetim pas mandatit të tyre

Kryeministri Sali Berisha, në një intervistë për gazetarin Alfred Peza në emisionin “Debat” në TV “Vizion +”, theksoi se ai nuk do ta falë kurrë Presidentin Bamir Topi dhe Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama për atë që e cilëson “puçin e shtetit” që organizuan një vit më parë. Në intervistën televizive, Berisha la të kuptohej se arrestimi ishte rruga e vetme për të vënë drejtësi, për ata krerë të shtetit që kërkonin rrëzimin e tij nga pushteti në mënyrë të dhunshme. Berisha deklaroi se ky veprim duhet të ishte bërë që më 21 janarin e vitit tjetër, por ky veprim do të kishte nxitur probleme të mëdha për vendin. Kreu i qeverisë flet edhe për detaje të tjera të ngjarjes, që një vit më parë tronditi vendin.

Nesër është 21 janari, ku përveç Kongresit të Lushnjës, mesa dimë qeveria do të ndodhet atje për kujtimin e kësaj ngjarjeje të madhe historike, opozita ka ftuar qytetarët të bëjnë një homazh në përkujtim të 21 janarit të një viti më parë. Ju keni deklaruar se vazhdoni t’u qëndroni mendimeve që keni dhënë më 23 janar të një viti më parë. Është një deklaratë, që në fakt më shumë është komentuar si një kërcënim për z. Edi Rama, sepse keni thënë që të gjithë janë të amnistuar, përveç atij?

Absolutisht asnjë kërcënim, por thjesht një qëndrim real, nga i cili nuk do të lëviz ndonjëherë.

Që do të thotë?

Që do të thotë, unë u rrethova njëherë me zjarr, me gurë, me hunj në zyrën time, unë që isha Kryeministri i zgjedhur në mënyrë legjitime. Që do të thotë në mënyrën më tragjike ky rrethim u shoqërua me 4 viktima, një humbje e dhimbshme me plagosjen e qindra e qindra të tjerëve; policë, gardistë, qytetarë dhe të gjitha këto për të marrë me dhunë këtë institucion.

Mendoni se kishte një skenar për ta marrë me dhunë pushtetin?

Unë nuk e di se kush nuk e mendon këtë. Të gjithë ata që panë me qindra e mijëra gurë, që panë të sulmohej dera kryesore e Kryeministrisë dhe të hapej me makinë, që panë të fluturonin shishet molotov, por edhe plumba, e kanë të qartë se ajo ishte një axhendë dhe në ato pesë orë, kryetari i opozitës u instalua në godinën përkarshi me një megafon, me besimin e verbër se do të vinte dhe do të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës sime.

E keni të saktë këtë?

Absolute, shumë të saktë dhe shumë të sakta edhe gjëra të tjera; edhe për tjetrën që kishin futur armë në bodrumin e asaj ndërtese ku rrinte kryetari, te dy kullat. Dhe se në fund çuan mesazh se do të sulmojnë me kallashnikov, dhe morën përgjigje se vend mbi tokë nuk do të gjeni nëse dilni qoftë edhe me një të vetëm. Pra këto ishin zhvillimet e asaj nate dhe dihet këtë nuk e bëri me kokë të vet, këtë e bëri me mbështetjen e fuqishme të atyre të cilët donin mandatin e dytë dhe e dinin se nga unë nuk do të propozoheshin.

Presidenti i Republikës, z. Topi…

Absolutisht, me mbështetjen totale të prokurores, të Presidentit etj., dihen tashmë. Këto veprime u bënë në një koordinim makabër. Natyrisht kishte disa opsione, mund t’jua ktheja reston në mënyrën më të vendosur.

Që do të thotë?

Që do të thotë se mund të merrnin atë që meritonin, por interesa të tjera prevaluan, interesi që e keqja duhet zvogëluar. Së dyti, më takonte mua të bëja gjithçka për të ruajtur rendin kushtetues, për të mos e cenuar unë Kushtetutën. Unë e dija se çështja do të hetohej nga një prej pjesëmarrësve të këtij puçi e këtij veprimi. Dija gjithçka, por midis hetimit nga zonja që i pritet mandati dhe hetimit nga një prokuror tjetër i emëruar nga unë, apo nga kjo mazhorancë; natyrisht pastaj në cenim të shumë rregullave, kjo e para ishte më e përshtatshme për vendin sesa e dyta.

Pra keni pasur plan që edhe ta shkarkonit kryeprokuroren?

Jo, ajo nuk meritonte shkarkim, ata meritonin shumë më tepër se shkarkim, sepse ata të cilët u angazhuan në një veprimtari antikushtetuese, për të rrëzuar me forcë një qeveri legjitime, për ata ligjet janë të qarta.

Pra meritonin arrestimin?

Ata meritonin ligjin dhe nuk e morën ligjin. Ato fjalë që u kam thënë atyre, as nuk i heq, as nuk i kam hequr dhe as nuk do t’i heq. Quaje grusht, apo quaje tentativë për përmbysje pushteti me dhunë, se dëgjoja një ditë, një rudiment politik që thoshte se grushti bëhet kur rrëzohet Presidenti; Presidenti është simbolik, në Republikë Parlamentare është qeveria.

Presidenti tha “që unë nuk i kam qëlluar me grusht vetvetes”…

Tani është mirë ta lëmë këta 6 muaj, se kam vendosur që këta 6 muaj të rrijë, të formojë atë parti, se e ka kthyer Presidencën në parti, nuk do të merrem me të. Por historia është, pra për ta mbyllur dhe është një çështje e rëndë, pa diskutim. Kam pranuar një skemë, skemën e hetimit të organizatorëve, kam pranuar skemën e hetimit të vrasjeve plotësisht, sepse çdo vrasje meriton hetim të plotë, qartësimin e çdo rrethane; kam pranuar skemën e hetimit të sponsorizuesve të tyre. Deri sot qoftë edhe një organizator i vetëm nuk ekziston. Kjo skemë, kur është negociuar, kur është rënë dakord për të? Pse se ajo nuk negocion se ajo që heton është një organizatore, është pjesë e këtij puçi.

Është akuzë e rëndë për kryeprokuroren kjo?

Absolute, është absolute pjesë, janë të verifikuara këto. Ata të cilët organizuan këtë kishin dy skenarë: njëri ishte që natyrisht do të pushtonin zyrën dhe do të ishin të qetë, varianti tjetër ishte se do të më bënin rreshtore, ata e dinë. Rreshtore Kryeministrit të zgjedhur me votën e lirë të shqiptarëve. Por ky është një kapitull që nuk mbyllet kurrë pa hetim dhe këtë unë më mirë të jem i hapur me çdo shqiptar, ky kapitull mbyllet pasi të zbardhen të gjitha përgjegjësitë; të organizimit, të sponsorizimit, të vrasjeve, të dëmeve. Deri tani në hetim as edhe një organizator i vetëm. Përkundrazi deri tani organizatorët kryesorë komandojnë prokurorinë e shtetit, ta them unë.

Nuk ju amnistoj, çfarë do të thotë?

Do të thotë se nga 2005-a e deri më sot ai ka qenë në mbrojtjen totale të këtij shteti, të cilin ai me një grusht banditësh dhe kriminelësh erdhi të rrëzojë me dhunë një Kryeministër të zgjedhur me menynë legjitime. Kurrë ndonjëherë ai nuk mund ta kapërcejë këtë pa u bërë drejtësia siç duhet.

Thoni se do të hetohet, keni parasysh këtu faktin se do të zgjidhet një president i ri dhe më pas kjo mazhorancë, për shkak të mbarimit të mandatit, do të zgjedhë një prokurore ose prokuror të ri, këtë keni parasysh me hetim?

Ngjarje të tilla të rënda nuk amnistohen kurrë. Jo. Ngjarje të tilla të rënda kanë vetëm një përgjigje: hetimin e plotë dhe të vërtetën në shesh.

Pra keni parasysh me këtë rihetim pas ardhjes së prokurorit të ri të përgjithshëm?

Ky është një problem, e rëndësishme është të marrë zgjidhje ligjore. Por të jesh i bindur që ato dy ditë me Bamir Topin dhe Ina Ramën janë zhvilluar, jo nga unë, dhjetëra kontakte, dhe e kanë shitur dhe blerë njeri-tjetrin ata gjatë atyre dy ditëve nja 15 herë. Por problemi i tyre ishte se ishin bashkërisht në tavë.

Çfarë përgjegjësie ndieni sot pas një viti për 4 të vrarët?

Absolutisht ndiej një dhimbje dhe keqardhje të madhe, por në mënyrë absolute, dhe njëherë dhe 100 herë mund të theksoj se një institucion i një vendi të lirë nuk mund të pushtohet. Pse? Ai nen i Kushtetutës që i jep të drejtë opozitës të protestojë kudo… shiko, janë të pakta vendet në Europë ku protestohet para dritares së Kryeministrit.

INTERVISTË: Kryeministri: Urdhrin për mosdorëzimin e gardistëve e dhashë unë

Kush ka dhënë urdhër, keni dhënë ju urdhër apo ndonjë vartës i juaj?

Në mënyrë kategorike dhe absolute as edhe një urdhër. Urdhri ishte ky, që ta dish ti, ai që do të hynte brenda ai nuk do të mund të dilte më, i vetmi urdhër. Rrethimi është atribut i gardës, ndërtesa do të mbrohej nga të gjithë punonjësit, ishim të gjithë në punë dhe këtu nuk mund të hynte njeri dhe ne ishim shumë të qetë. Cili është ligji i gardës? Ligji i gardës është ky, po e gjuajte ushtarin me gur, me dru, me çdo gjë tjetër, nuk të gjuan me gur, nuk të gjuan me dru; nuk ka ushtar në botë që po ta gjuash nuk të drejton armën. Nuk ka ligje në botën demokratike që kur një ushtar i gardës gjuhet me tulla, gjuhet me gur, nuk i thotë: 1 qëllo në ajër; 2. në qoftë se vazhdon, qëlloje te këmbët; 3. qëlloje direkt. Këto janë të përcaktuara në ligjet e gardës të të gjitha vendeve demokratike. Në këtë kontekst, nëse ndokush ata pesë apo dhjetë ushtarët rreth e rrotull i konsideronte derra apo viça lope që mund të lëshonin breshëri tullash dhe gurësh dhe ata do të bënin sehir, gabon. Nuk di, jo gardë, por nuk di ushtar në vendrojë, i cili të mund të qëllohet me gurë dhe të mos reagojë.

Po thoni se katër viktimat kanë ardhur nga garda, për shkak të detyrës?

Jo, unë them këtë, garda ka qëlluar në zbatim të ligjit, sesi kanë ardhur viktimat kjo do jetë një proces hetimi. Këto do të jenë të tëra në hetim, nuk më takon mua; por unë them se ushtar në këtë vend që të qëllohet me objekte të forta që të sulmohet dhe agresohet nuk ka që të mos reagojë në përputhje me ligjin.

Ka pasur një problem në atë kohë pas firmosjes së urdhërarresteve për zinxhirin drejtues të gardës dhe nuk u lejua ekzekutimi i këtyre urdhërarresteve nga ana e policisë.

Jo, nuk u lejuan nga Kryeministri.

Ju nuk i keni lejuar?

Jo, nuk u lejuan nga Kryeministri, po sigurisht. Po të urdhëroja policinë unë ajo do të ndodhte; por a mund t’ua jepnim bandave ne Kryeministrinë. Dhe jo vetëm unë, ka pasur një ndërhyrje të gjithanshme dhe besoj se ajo u faktua se ishte tërësisht pjesë e skenarit.

Cili ishte skenari?

Skenari ishte, që personi i cili ishte në zyrën e tij dhe kishte vetëm një detyrë, evakuimin e Kryeministrisë, që unë nuk evakuohesha kurrë, por ata bëjnë planet e tyre, ai duhej arrestuar. Bëhet fjalë për komandantin e gardës. Këto janë çështje hetimi, por ka elemente të shumta. E para kjo, e dyta nuk kemi qenë absolutisht kundër marrjes në ndjekje, jo. Por ndjekje të lirë, se nëse ti e merr nga komandanti i gardës deri te i fundit çfarë u thua; ti u thua kriminelëve sulmoni e merreni se nuk ka kush e mbron më. Kjo ishte një aventurë, sepse kjo do të mbrohej me çdo çmim, këtë s’e merrte dot kurrë. Pra nuk ka këtu asnjë lloj përpjekje për të penguar, por ka një përpjekje nga ata të cilët u dështoi, nuk dëgjuan dot fjalimin nga ballkoni i Kryeministrisë dhe menduan se të nesërmen mund ta realizonin meqë pati viktima.

Ju po thoni që urdhri për arrestimin e 6 drejtuesve të gardës ishte vazhdim i planit?

Absolutisht, kryekëput. Pse nuk u zbatua? Unë, në bazë të ligjeve të vendit, dhashë urdhër që të mbahej on hold, ka ligje që e përcaktojnë këtë për shkak të detyrës, pse nuk ndodhi kjo pas 3 muajsh, pas 5 muajsh, pse nuk ndodhi?! Ke dëgjuar ta kem penguar unë. Kush e pengoi? Ekspertët e huaj, jo përkundrazi. Po pse Edi Rama do të dilte në konferencë shtypi dhe do të citonte Ina Ramën?! Më thuaj pak si mund të ndodhte kjo. Ai që ishte organizatori kryesor për të marrë pushtetin me dhunë. Janë të gjitha të regjistruara.

Thuhet se pamjet që janë filmuar nga kamerat e Kryeministrisë janë fshirë nga serveri qendror?

Absolutisht nuk kam asnjë dijeni se janë fshirë qoftë edhe një gjë. Ajo që unë kam bërë që në orën 7 të darkës, është se kam urdhëruar që gjithçka të kryhet sipas ligjeve. Ne nuk kemi një sistem kaq të përsosur, por diçka kemi, për rrethimin unë them se duhet të jetë në kompetencë të gardës. Grupi im nuk ka sistem, ai ka detyrat e veta. Unë kam një grup si çdo Kryeministër dhe ai ka detyrat e veta. Kështu që gjithçka ka ndodhur para kamerave. Nuk kam dijeni që të jetë fshirë qoftë edhe një segment. Kam dijeni që nuk ka qenë i gjithë territori i survejuar dhe prapë mund të mos jetë i tërë territori, varet nga mjedisi, kjo është çështje ekspertësh dhe jo çështje të miat.

Marrë me shkurtime nga emisioni “Debat”


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni