Kryeministri Berisha zhvilloi dje pasdite një takim të ngrohtë e miqësor me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në rezidencën qeveritare në qytetin e Vlorës, ku ajo po kalon disa ditë pushimesh.
Vlorë, 19 gusht / AIK-PRESHEVA JONË

Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen Presidentes Jahjaga, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që po takohej me të. Kryeministri vlerësoi rolin që Presidentja Jahjaga ka luajtur e po luan në rritjen dhe konsolidimin e Republikës së Kosovës si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan.

Kryeministri Berisha theksoi se progresi i gjithanshëm i Kosovës, funksionimi i shtetit ligjor dhe institucional kanë bërë që Kosova gjithnjë e më shumë të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, mirëkuptimi e integrimi rajonal. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi vendosmërinë e autoriteteve të qeverisë së Kosovës për zbatimin e ligjit dhe të rendit kushtetues në të gjithë territorin e saj.

Presidentja Jahjaga shprehu kënaqësinë e saj për këtë takim dhe e falënderoi Kryeministrin Berisha për të gjithë mbështetjen që ai i ka dhënë dhe i jep Republikës së Kosovës.

Në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi bashkëpunimin politik dhe në të gjithë fushat midis Shqipërisë dhe Kosovës, për përpjekjen e përbashkët në njohjen e mëtejshme dhe konsolidimin e pozicionit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

SHPËRNDAJE