Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Popovski.

http://www.botasot.info/img/October-3-13-54-571.jpgPasi i uroi mirëseardhjen, kryeministri Berisha e siguroi ministrin e Jashtëm të Maqedonisë Popovski për dëshirën dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve në të gjitha fushat, në interesin më të mirë të të dy popujve.

Ministri i Popovski, pasi e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të kryeministri Gruevski, gjithashtu i rikonfirmoi vendosmërinë e vendit të tij dhe qeverisë së Maqedonisë, për të intensifikuar marrëdhëniet e bashkëpunimit në të gjitha fushat .

Në takim u shpreh kënaqësia e veçantë për marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, u vlerësua si shumë e rëndësishme kompletimi i projekteve infrastrukturore midis të dy vendeve, të cilat do të bëjnë të mundur lehtësimin e këtij bashkëpunimi dhe për afrimin e mëtejshëm të të dy vendeve dhe popujve fqinj. Në veçanti projektet rrugore, pjesë e korridorit të 8, bashkimi i linjave hekurudhore midis dy vendeve , ndërtimi i linjës së interkonjeksionit si dhe bashkëpunimi edhe më i ngushtë në fushën e turizmit, u konsideruan si aspektet konkrete ku është fokusuar vëmendja e dy qeverive.

Ministri Popovski u shpreh i impresionuar për ndryshimet rrënjësore që kanë ndodhur në Shqipëri, në veçanti për sa i përket zhvillimit të infrastrukturës rrugore, projekteve të prodhimit të energjisë së rinovueshme, arritjeve te rëndësishme të qeverisë shqiptare në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në reformat ekonomike fiskale dhe ato për një qeverisje të mirë.

Në takim u theksua gjithashtu rëndësia që vendet e rajonit Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, por edhe vendet e tjera të eliminojnë të gjitha barrierat për qarkullimin e lirë të mallrave, kapitalit, e qytetarëve, duke ndërtuar një model të ngjashëm me modelin e suksesshëm të ndërtuar nga vendet e BE.

Kryeministri i Shqipërisë dhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë rikonfirmuan angazhimin e dy qeverive e vendeve për të ecur me shpejtësi drejt hapave të mëtejshme për anëtarësimin e plotë në BE, si e ardhmja më e mirë e të dy vendeve dhe rajonit.

SHPËRNDAJE