(AIK-Presheva Jone)

 

Vizitës së kryeministrit shqiptar Sali Berisha në Itali i ka paraprirë një intervistë për të përditshmen italiane “Il Sole 24 ore”, në të cilën ai është ndalur tek investimet italiane në Shqipëri dhe bashkëpunimi në fusha prioritare si turizmi dhe energjia. Sipas tij Italia mbetet vendi kryesor sa i përket eksporteve shqiptare, që shënjuan rritjen më të madhe ekonomike ndër 20 vjet.

“Rruga që kemi përshkruar deri tani ka qenë shumë e gjatë. Por, duke marrë në konsideratë kushtet në të cilat e nisnim rrugëtimin tonë, Shqipëria ka përparuar më me shpejtësi se vendet e tjera. 20 vite më parë, në kohën e rënies së komunizmit, ishim realiteti më i varfër në Evropë. Sot rritja e GDP-së është 3.3% në vit, inflacioni është 2.2. Të gjitha këto na bëjnë të jemi optimistë. Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë shumë të ngushta. Italia është vendi kryesor për eksportet shqiptare me 58 % në vitin 2009, në 71% në vitin 2010. Nga të gjitha rajonet e Italisë, rajoni i Lombardisë është i dyti mbas atij të Puglias nga bashkëpunëtorët ekonomik kryesor. Dhe kjo na gëzon pa masë. Dëshirojmë të forcojmë prezencën e kompanive të vogla të mesme që ndodhen në vendin tonë si në ndërtim, në tekstile dhe këpucë, me ndihmë e kompanive financiare prezente në Shqipëri si banka e Gruppo Veneto dhe Intesa San Paolo, për të tërhequr të tjera kompani aktive në sektorin e energjisë, hidroelektrik, atë eolik etj”. Kryeministri Berisha ka përmendur gjithashtu potencialet e mëdha që ofron Shqipëria në fushën turizmit, duke ftuar biznesin e Lombardisë të bëhet pjesë e investimeve në këtë sektor.

“Vendi ynë ofron mundësi të shumta për biznes, ka një bregdet të mrekullueshëm dhe është i hapur për turizëm, është i pasur më pasuri natyrore dhe është një “parajsë” për energjinë alternative. Jemi duke i dhënë vendit infrastrukturën, rrugët dhe çdo gjë tjetër të nevojshme për të tërhequr biznesmenët e huaj. Mbetet vetëm vështirësia për të zgjedhur”, tha tutje Berisha.

I pyetur nga gazeta lidhur me imazhin Shqipërisë 20 vjet pas eksodit masiv, kryeministri thotë se vendin e këtij realiteti e ka zënë ai i një vendi në zhvillim. “Shqipëria nuk është më vend i anijeve të vjetra të mbushura me mjerim dhe klandestinë të hedhur në bankinat e Portit të Barit 20 vite më pas, duhet të zëvendësojmë këtë imazh të ngulitur në memorien kolektive me atë të një vendi në gjendje për t’i ofruar kompanive italiane shumë mundësi biznesi”, tha kryeministri Berisha.

Lidhur me mundësitë që ofron Shqipëria për të gjithë emigrantët shqiptare kryeministri Berisha tha se qeveria mbetet e hapur për të gjithë të talentuarit që duan të angazhohen në vendin e lindjes.

“Ne i duam këtu (në Shqipëri) qytetarët tanë. I duam të kthehen në shtëpi talentet tona. Pa bërë asnjë diferencë për vendet në të cilat kanë emigruar, Greqi apo Itali. Për të gjithë ka një program të cilin e kemi quajtur Brain Gain, i cili përbën për ne një faktor shumë të rëndësishëm, ka financime të palimituara, gati në rast se këta qytetarë shqiptarë të talentuar do të trokasin në dyert tona, që për ta janë dhe do të mbeten gjithmonë të hapura”.

SHPËRNDAJE