Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha uroi sot të gjithë të rinjtë shqiptarë me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, ndërsa theksoi se “Shqipëria është sot vite drite larg asaj që ishte në dhjetorin e ‘90-ës”.

Përmes një deklarate për media nga Franca, ku po ndjek punimet e Kongresit të XX të Partive Popullore Evropiane (PPE), kryeministri Berisha përshëndeti të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, të cilët i cilësoi si “forca më kryesore e demokracisë së vendit”.

“Ju përcaktuat fitoren e qendrës të djathtë në vitin 2009, përcaktuat fitoren e parimeve të lëvizjes së dhjetorit në vitin 2011. Kam bindjen më të plotë se me energjinë, mençurinë, vizionin, përkushtimin dhe idealet e larta fisnike të dhjetorit ’90 do të përcaktoni fitoren më të thellë të qershorit 2013”, tha Berisha, duke iu drejtuar të rinjve shqiptarë.

Duke kujtuar gjendjen e dëshpëruar në të cilën ndodhej vendi në dhjetorin e ’90-ës, Berisha tha se “diktaturat komuniste në Evropë kishin rënë njëra pas tjetrës, ndërsa Shqipëria etiketohej si Kuba e Adriatikut, por kjo jo në mendjen dhe zemrën e të rinjve shqiptarë, pasi aty kishte lëshuar shtat Shqipëria e lirë e qytetarëve të lirë, e vokacionit perëndimor, Shqipëria e integrimit”.

Sipas tij, 21 vjet më parë, të rinjtë dhe të rejat e Tiranës, studentët, punonjësit dhe qytetarët e intelektualët e kryeqytetit, gjunjëzuan në një kohë të shkurtër diktaturën më të egër në Evropë.

“Ata morën në dorë udhëheqjen e lëvizjes më të paprecedentë në historinë tonë kombëtare, lëvizje e cila do të përcaktonte si objektivat më madhorë, Shqipërinë e lirë evropiane, çështjen kombëtare si çështje të parë, rrugën demokratike të zhvillimeve dhe shmangien e një konflikti vëllavrasës brenda vendit”, tha Berisha.

Ata që formësuan këtë lëvizje, sipas kryeministrit, e përmbushën me dinjitet të madh këtë mision, pasi Shqipëria 21 vjet më vonë është vite drite larg asaj që ishte në dhjetorin e ’90, është anëtare e NATO-s.

“Ëndrra evropiane e të rinjve të vendit u bë realitet, gjaku i atyre dhjetëra, në mos qindra të rinjve dhe të rejave që u ekzekutuan barbarisht në ’90 u bë dritë, dhe sot shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Evropën”, tha Berisha.

SHPËRNDAJE