Berisha: Rrugë që e bën më zonjë Shqipërinë

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha inspektoi sot ecurinë e punimeve në rrugën Levan (Fier) – Tepelenë, investim me vlerë 70 milion euro. Rruga e re ka një gjatësi prej 71 kilometra dhe shkurton me 22 kilometra dhe 1 orë e 10 minuta distancën e mëparshme nga Fieri në Tepelenë.

Më tej, në një bashkëbisedim të shkurtër me gazetarët, kryeministri Berisha u shpreh: “Së pari, ju falënderoj juve, por edhe ju mua. Unë ju falënderoj se më ndoqët në këtë udhëtim, në të cilin unë kisha qëllim t’u bëja të njohur shqiptarëve këtë investim madhor, këtë autostradë, një prej më të bukurave të vendit. Por të më falënderoni edhe ju mua, sepse u njohët me vendin tuaj, me luginat më të mrekullueshme të tij, lugina e Vjosës, lugina e Përroit të Thatë dhe dolëm në Memaliaj. Autostrada Levan- Tepelenë është një nga autostradat më të rëndësishme të vendit, pasi me përfundimin e saj, Gjirokastra, Përmeti, Tepelena do të arrihen nga Tirana, në një hark kohor më pak se dy orë. Saranda, me përfundimin e segmentit Kardhiq-Delvinë, do të jetë edhe ajo në 2 orë e 20 minuta. Nëse do të doni të shkoni të pini një kafe në majën e Çajupit, Olimpin e Gjirokastrës, do të shkoni aty për 2 orë e 30 minuta. Pra, kjo rrugë transformon Shqipërinë nga Tirana deri në skajin e saj më jugor.

Rruga, siç e patë vetë, kalon në një luginë me të vërtetë magjepsëse për bimësinë, bio-diverisitetin e saj dhe natyrisht, kthehet edhe në pjesën tonë dhe ne pa ashpërsi nuk mund të kemi terren, ndaj edhe ajo ka 6-7 kilometra ndër më të vështirat. Në tërësi, rruga ka një numër të madh veprash arti, 38 ura, mbi 80 tombina. Investimi në të është rreth 70 milion euro.

Rruga është realisht transformuese. Ajo bën që i tërë jugu i vendit të arrijë tregun e Tiranës në një kohë të paimagjinueshme, por bën që edhe turistët nga Tirana dhe mbarë bota të arrijnë në Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, në një kohë që 2-3 vjet më parë asnjë nga ne nuk e imagjinonte.

Kjo rrugë është fatlume, sepse nuk mund të bllokohet nga politika bllokuese e kryetarit aktual të Partisë Socialiste, sepse ju garantoj se, në qoftë se edhe këto do të ishin në paketën e bllokimit, shqiptarët nuk do të shihnin një rrugë të vetme me sy dhe do të mbeteshin me trashëgiminë hoxhiste, që ishte edhe trashëgimia më katastrofale në rrugë. Por nuk ka asgjë që mund të pengojë ndërtimin e Evropës në çdo skaj të këtij vendi, ndërtimin e Evropës në luginën e Vjosës, në luginën e Përroit të Thatë, në luginën e Kardhiqit e kudo, në çdo fshat e çdo vend dhe procesi i integrimit është e do të mbetet një proces i parikthyeshëm”.

Në pyetjen e gazetarëve se ambasadori i BE-së në Shqipëri foli një ditë më parë, pikërisht për gjuhën e bashkëpunimit. Kjo është një rrugë që i bashkon të gjithë shqiptarët, po gjuha e politikës.

Kryeministri Berisha tha se, “Ne vetëm po ndërtojmë rrugë e ura bashkimi. Ne po ndërtojmë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj ura e rrugë bashkimi”.

Po ashtu kryeministri Berisha u përgjigj në pyetjen se a mendon ai se këtë po e bën edhe Presidenti?

“Sot jam këtu, për këtë kryevepër të punëve publike në Shqipëri, e cila në vëllime punimesh është pothuajse identike me Fierzën. Është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme. Nuk mund të dal jashtë ndjesive që kam sot, për këtë rrugë, ndaj ju luten që pyetjet që keni për problem të tjera mi rezervoni në konferencë të tjera shtypi, sepse unë sot jam tërësisht i vërshuar në brendinë e shpirtit tim nga Vjosa e bukuritë e luginës së saj”.

Në pyetjen e gazetarëve se kjo rrugë mund t’ju sjellë më shumë vota në vitin 2013 apo jo?

Kryeministri Berisha u shprehë: “Mendoj se kjo rrugë e bën më zonjë Shqipërinë në 100 vjetorin e saj. Kjo rrugë do të përfundojë dhe Shqipëria, në 100 vjetorin e saj, do të jetë me rrugë të atilla që edhe ata, që bënë projektet më mahnitëse për të, nuk e kishin përfytyruar ndonjëherë”.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni