Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në vijim të takimeve të prezantimit të alternativës për qytetarin dhe mbështetjes së kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit, zhvilloi sot në mesditë një takim me qytetarë të Rrëshenit, Mirditë.

 

Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin dhe mbështetjen për kandidatët për kryetar bashkie në Rrëshen Gjon Deda dhe Mark Ruci, në Rubik, si dhe garantoi qytetarët e Mirditës se qeveria do të shumëfishojë investimet për këtë rreth dhe do të financojë çdo projekt për zhvillimin e tij. Mirdita, – tha Kryeministri – është një vend me pasuri të jashtëzakonshme, në ujëra dhe minerale dhe vitet që vijnë do ta faktojnë Mirditën një nga trevat më të rëndësishme të prodhimit të këtyre mineraleve, si dhe do të ndërtohen dhjetëra hidrocentrale, për ta bërë Mirditën një prodhues të rëndësishëm të energjisë në këtë vend.

 

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Së pari, ju përshëndes shumë përzemërisht dhe me mirënjohje të thellë ju falenderoj juve, grave e burrave të Mirditës, për mbështetjen e madhe që i keni dhe i jepni Partisë Demokratike dhe mazhorancës aktuale, në përpjekjet e saj, sëbashu me ju, për të shndërruar Mirditën dhe Shqipërinë në një vend të zhvilluar.

 

Së dyti, shpreh kënaqësinë që paraqes sot, për kandidat për kryetar bashkie në Rrëshen e Rubik kryetarët tuaj aktualë, dy nga qeveritarët vendorë më të talentuar të Shqipërisë, të cilët i bëjnë nder qeverisë, Partisë Demokratike, i bëjnë nder çdo qytetari të Mirditës dhe me të cilët Sali Berisha krenohet me punën, moralin dhe aftësitë e tyre.

 

Unë jam sot, këtu, për t’u dhënë juve fjalën e nderit se këto katër vjet, çdo projekt që ju, me mençurinë e punën tuaj, do të hartoni e bëni me kryetarët tuaj të ardhshëm, me kryetarët e komunave, për një Rrëshen modern, Rubik modern dhe Mirditë të zhvilluar, qeveria shqiptare do ta financojë në mënyrë që këto katër vite të jenë vitet, në të cilat ne të kemi vendosur Shqipërinë, të kemi vendosur Mirditën në vendet e zhvilluara.

 

Këto vite, në rrugën e lirisë, ne jemi përballur me vështirësi të mëdha, sepse mbi supet tona, mbi shpirtin e mbi zemrat tona rëndonte një vend pothuajse i falimentuar, një vend, nga i cili për kafshatën e gojës u detyruan të largohen qindra e mijëra djem e vjaza të tij. Kët vite kanë qenë vite kur ne të gjithë kemi derdhur djersë, mund, e kemi provuar sakrifica, por kanë qenë edhe vitet më të ndritura të historisë sonë, të historisë së gjithsecilit prej jush. Këto vite, ne së bashku u ngritëm si Feniksi nga hiri dhe Mirditën, Shqipërinë, vendin më të izoluar në Evropë e në botë, e anëtarësuam në NATO. Ne jemi ata që bëmë realitet ëndrrën e lirisë kombëtare. Këto vite, ne, njerëzit që jetonim të rrethuar nga telat me gjemba, sot lëvizim të lirë në Evropë pa viza, me pasaportat më moderne të Evropës.

 

Në këto vite, ne, që kishim infrastrukturën më të prapambetur të Evropës e një nga më të paprambeturat në botë, po ndërtojmë sëbashku infrastrukturën më moderne dhe në tre vjet, Shqipëria do të ketë infrastrukturën më të mirë në Evropën Juglindore dhe një nga infrastrukturat rrugore më të mirat në Evropë. Në territorin tuaj lëshoi shtat madhërishëm një ëndërr kombëtare, madhështore dhe e pavdekshme, korridori i kombit, vepra më e madhe që shqiptarët kanë ndërtuar në të gjitha kohërat.

 

Në këto vite, sëbashku ia dolëm që një arsim që po degradonte ta shndërrojmë në arsim që po zhvillohet gjithnjë e më shumë. Këtë vit, 91 për qind e fëmijëve tanë që mbarojnë klasën e 9-të u ulën në bankat e gjimnazeve e shkollave të mesme, 70 për qind e maturantëve tanë u ulën në bankat e universiteteve. Këto dy tregues janë nga më të lartët në Evropë e në botë dhe ne edhe më lart do t’i çojmë ato. Këti vit, të gjitha shkollat e vendit kanë internet, janë në moshën digjitale.

 

Sëbashku ia dolëm që një ekonomi që po falimentonte, me lumenj djerse, me muskuj tanë dhe kallot e duarve tona, me pluhurin në fytyrë e rrudhat tona, ta shndërrojmë në ekonominë me rritjen më të madhe në Evropë.

 

Ne vërtet kemi vuajtur, jemi njerëz të mundimit, të sakrificave e dhimbjeve, por jemi edhe njerëz të arritjeve historike, të arritjeve të jetës së gjitsecilit dhe ju garantoj se në këtë rrugë do të ecim me shpejtësinë më të madhe. Katër vitet që vijnë, jam sot për t’ju dhënë fjalën se investimet në rrethin tuaj do të shumëfishohen dhe në këtë rreth nga Kumbulla, Mërkurthi, afër Kryelurës deri në Kaçinar, nga Fani në Kroll do të asfaltojmë çdo rrugë, do të ndërtojmë çdo shkollë e kopsht, do të ndërtojmë çdo ujësjellës e sistem kanalizimesh që ju, të dashur mirditore e mirditorë, kudo që jeni do të gëzoni infrastrukturën moderne europiane, njëlloj si në qytetet tona më të mira.

 

Ne jemi këtu qëkur ka mbirë lisi, pra, në shpirtin tonë, në ADN-në e zemrën tonë, ne jemi europianë. Por prapë për paudhësitë historike, ne mbetëm shumë mbrapa kombeve të tjera të Europës, sepse ne na mungoi liria. Tani që jemi të lirë, ne po ecim më shpejt se një komb tjetër në rrugën e lirisë. Ne, çdo ditë, çdo javë e çdo muaj po ndërtojmë Evropën në Mirditë, në Gjirokastër, Tropojë e kudo në Shqipëri. Shqipëria do të jetë një nga vendet më të zhvilluara në vitet që vijnë. Me mundin, djersën e përkushtimin tuaj, ju jeni ata që po ndërtoni Shqipërinë, po ndërtoni të ardhmen. Qeveria ka bërë e do të bëjë gjithçka që pasuritë tuaja natyrore, burimet tuaja njerëzore të jenë sa më të vlefshmë për ju.

 

Mirdita është një vend me pasuri të jashtëzakonshme. Malet e Mirditës mbajnë në zemrën e vet rezerva kolosale të mineraleve nga floriri tek bakri e minetrale të tjera. Unë jam i bindur se ajo që është shfrytëzuar është vetëm maja e ajsbergut dhe vitet që vijnë do ta faktojnë Mirditën një nga trevat më të rëndësishme të prodhimit të këtyre mineraleve. Mirditën, e cila është vend i pasur në ujëra, ju garantoj se në të katër anët e këtij rrethi do të ndërtojmë dhjetëra hidrocentrale, për ta bërë Mirditën një prodhues të rëndësishëm të energjisë në këtë vend.

 

Mirdita ka vende mahnitëse turistike. Gjatë këtyre katër viteve do të çojmë infrastukrën rrugore dhe do të ndërtojmë sëbashku Mirditën turistike. Ne po ndërtojmë infrastrukturën moderne, ne po zhvillojmë një revolucion të vërtetë industrial, ne po bëjmë gjithçka për një Shqipëri supërfuqi energjitike në rajon, për Shqipërinë, një prodhuese e rëndësishme e prodhimit industrial. Vitin që kaloi, ky vend, kjo tokë ishte e vetmja në Evropë që pati rritje 63 përqind të eksporteve. Por ne të gjithë sëbshku mund të bëjmë shumë më tepër e duhet të bëjmë, në shenjë dashurie e respekti për Mirditën. Çdo pëllëmbë toke të këtij vendi të bekuar, duhet të vendosim ta qëndisim me pemë, ta shndërrojmë Mirditën, ta shndërrojmë Shqipërinë në kopshtin më të bukur, më madhështor të kontinentit evropian. Zoti e ka bekuar atë dhe në çdo metër katror mund të rritet një pemë. Aroma e shija e tyre është më e mira në botë. Ndaj ju ftoj ju, qytetarëve të Rrëshenit, të Rubikut, ftoj fermerët e Mirditës kudo që janë t’i shndërrojnë katër vitet që vijnë, në vite të themelimit të Shqipërisë – kopshti më i
madh në Evropë. Qeveria do të financojë çdo dru frutor, fidanin e çdo druri frutor që do të mbillni. Unë ju garantoj juve dhe unë e mbaj fjalën, sapo të përfundojmë këto rrugë që duhet të përfundojmë, pasi rrugët janë jetë, janë zhvillim e çdo gjë, ashtu siç ndërtuan rrugën e kombit, do të ndërtojmë kopshtin e kombit, do ta bëjmë Shqipërinë kopshtim më të bukur.

 

Ju ftoj më 8 maj, votoni qytetar tuaj të parë, kandidatin e alternativës për qytetarin. Ju garantoj se sot e gjithnjë ju do të jeni në epiqendër të alternativës sonë. Ftoj mirditorët e të gjitha bindjeve të bashkohen me ne. Në shtëpinë tonë, ne ju themi bujrum, urdhëroni, jeni të respektuar, jeni të nderuar. Çdo të mirë, ne duam ta ndajmë me çdo shqiptar, çdo saktrificë duam ta bëjmë me çdo shqiptar, çdo arritje, ta gëzojmë me çdo shqiptar. 8 maji është dita juaj. 8 maji është dita, në të cilën ju vendosni për katër vitet që vijnë. Ju garantoj se për ne ju jeni të parët, familjet tuaja janë të parat, komunitetet tuaja janë të parat, Mirdita është e para, Shqipëria është e para. Rrofshi ju! Rroftë Mirdita! Rroftë Shqipëria!”, tha kryeministri Berisha.

SHPËRNDAJE